Shqipëria sot përkujton 113-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare.
Më 28 Nëntor 1912, në qytetin e Vlorës, Ismail Qemali dhe delegatë nga të gjitha trevat shqiptare ngritën flamurin kuqezi dhe shpallën krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, duke i dhënë fund gati pesë shekuj sundimi osman.
Dita e Flamurit, e njohur ndër shqiptarët si 28 Nëntori, bashkon sot shqiptarët kudo që ndodhen.
Me aktin e Pavarësisë, qeveria e sapoformuar e kryesuar nga Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha të kohës — Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë — duke kërkuar njohjen e shtetit të ri shqiptar.
Po ashtu, u dërguan njoftime edhe te shtetet fqinje ballkanike, duke theksuar se shpallja e Pavarësisë ishte shprehje e qartë e vullnetit të popullit shqiptar.
Shpallja e Pavarësisë shënoi një kthesë historike jo vetëm për mbylljen e epokës osmane, por edhe për krijimin e kushteve që do të lejonin zhvillimin politik, ekonomik dhe kulturor të vendit. Ky akt madhor ishte një fitore edhe kundër aspiratave të monarkive ballkanike, të cilat synonin copëtimin e mëtejshëm të tokave shqiptare.
Sot, 113 vjet më vonë, 28 Nëntori mbetet dita që simbolizon lirinë, identitetin dhe unitetin kombëtar të shqiptarëve, një kujtesë e përpjekjeve të gjata për shtetformim dhe pavarësi.












