LajmePolitika

Shkarkohet nga detyra Erion Veliaj

Këshilli Bashkiak i Tiranës, me një konsesus të plotë të të gjitha palëve, ka votuar pro kërkesës së socialistëve për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Në vendimmarrje, Këshilli Bashkiak iu referua pikës c të nenit 62 të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore” që thotë se Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave kur propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.

Këshilltari i PS-së, Endrit Braimllari propozoi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që të bashkohen 3 kërkesat për shkarkimin e Erion Veliajt, ajo e PS, PD dhe Endri Shabanit, kërkesë e cila u miratua. Kjo për shkak se më herët socialistët nuk kishin marrë fare në shqyrtim kërkesat e opozitës për shkarkimin e Erion Veliajt.

Mësohet se këshilltarët socialistë Aldo Merkoçi dhe Alfred Muharremi nuk morën pjesë në votim, ndërsa Joleza Koka dhe Gazment Paja nuk ishin të pranishëm në mbledhje. Ndërkohë, nga ana e opizitës ai i cili nuk votoi ishte Fabjan Topollaj, këshilltar i Bindjes Demokratike.

Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak, kanë vijuar përplasjet mes demokratëve dhe socialistëve, ku këshilltarët opozitarë kërkonin që kryebashkiakut t’i jepej mundësia për të qenë i pranishëm në mbledhje për të thënë fjalën e tij.

Erion Veliaj ndodhet në burg që prej muajit shkurt kur u arrestua me urdhër të SPAK, teksa tashmë është marrë zyrtarisht i pandehur, i akuzuar për 13 vepra penale, si korrupsioni, fshehja e pasurisë, apo edhe favorizim i biznesmenëve në tenderat dhe lejet e ndërtimit të dhëna nga Bashkia e Tiranës.

Gjithsesi, nenit të cilit iu referua Këshilli Bashkiak ka paqartësi dhe interpretim të kuadrit ligjor, pasi nuk përcaktohet nëse mungesa në detyrë duhet të jetë e arsyetuar apo jo.

Pas votimit të sotëm, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës. Qeveria më pas vendos shkarkimin.

Gjithsesi, Erion Veliaj ka të drejtë ta ankimojë shkarkimin  në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh, dhe në këtë rast vendimi i qeverisë do të pezullohej, deri në një vendimmarrje të gjykatës më të lartë në vend.

Mbetet për t’u parë nëse Erion Veliaj do ta ketë guximin për të kundërshtuar vendimin e Edi Ramës apo jo, por deri më tani ai nuk e ka dhënë vetë dorëheqjen.

Në rast se ankimi nuk ndodh, atëherë i hapet rrugë zgjedhjeve të reja, të cilat Presidenti i Republikës do të duhet t’i shpallë menjëherë sapo të informohet për vakancën.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts