Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar zyrtarisht ndaj lidhur me projekt-amendamentet e propozuara për Kodin Penal, duke theksuar rëndësinë e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.
Në përgjigjen e saj, BE-ja konfirmon se është informuar për prezantimin e draftit, që prej ditësh ka ngjallur reagime të shumta, të cilat janë produkt i një grupi ekspertësh të ngarkuar nga qeveria shqiptare.
Bashkimi Evropian thekson nuk ka qenë pjesë e këtij grupi ekspertësh dhe nuk ka ende nje qëndrim zyrtar mbi përmbajtjen e këtyre proppozimeve.
Po ashtu, delegacioni nënvizon nevojën për konsultim të plotë me institucionet kryesore të drejtësisë, aktorët e sundimit të ligjit dhe shoqërinë civile, për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të miratohet.
“Bashkimi Evropian ka marrë njoftim mbi prezantimin e projekt-amendamenteve të Kodit Penal, rezultat i punës së një grupi ekspertësh të ngarkuar nga qeveria.
Bashkimi Evropian nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve dhe ende nuk ka një qëndrim mbi këto projekt-amendamente.
Duke qenë se rishikimi i përgjithshëm i Kodit Penal është një proces i rëndësishëm dhe kompleks, me një ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë, BE-ja nënvizon rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e sundimit të ligjit, si dhe me shoqërinë civile, për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të miratohet”, thuhet në reagimin e BE për Politiko.al.
Sa i përket negociatave për anëtarësim në BE, Shqipëria pritet të ndryshojë një numër dispozitash specifike të Kodit Penal për t’u përafruar me standardet evropiane.
Ndaj BE-ja inkurajon përparësi për ndryshimet që lidhen me standardet ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët për Grup-kapitullin 1 (Themeloret).
Delegacioni shprehet se është i gatshëm të ofrojë ndihmë teknike për të mbështetur këtë proces.
“Si pjesë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria pritet të ndryshojë një numër dispozitash specifike të Kodit Penal për t’u përafruar standardeve evropiane dhe legjislacionit të BE-së. Në periudhën afatshkurtër, BE-ja e inkurajon Shqipërinë t’i japë përparësi atyre ndryshime legjislative që janë të nevojshme për të përmbushur standardet ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grup-kapitullin 1 (Themeloret). BE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë teknike në këtë drejtim”, përfundon BE në reagimin e saj.











