Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë që ndodhi në fshatin Frashër të Fierit, ku vajza 26-vjeçare mbyti me tel babanë e saj.
Sipas hetimeve të kryera rezulton se vajza e ka mbytur babanë me tel dhe më pas, nëna e ka ndihmuar atë të pastrojë trupin. Kjo e fundit është vënë në pranga nga policia për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetes”.
Burime bëjnë me dije Anesti Rama dhunohej sistematikisht në familje, pasi e bija dhe bashkëshortja e kishin nxjerrë të jetonte në një dhomë jashtë shtëpisë.
“Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale, për zbardhjen e të gjitha rrethanave të ngjarjes së ndodhur në fshatin Frashër, ku shtetasja E. R. vrau me mjet strangulues, për motive të dobëta, babanë e saj.
Arrestohet nëna e 26-vjeçares, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e përgjegjësisë penale në lidhje me këtë ngjarje të bashkëshortes së shtetasit A. R., shtetases V. R., 53 vjeçe, të shoqëruar në Polici menjëherë pas ngjarjes, informojmë se specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë arrestimin në flagrancë të 53-vjeçares, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetes”.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se pas vrasjes, shtetasja V. R. ka ndihmuar vajzën e saj, për të pastruar trupin e 56-vjeçarit, me qëllim që të mos zbulohej e vërteta dhe humbja e jetës të dukej aksidentale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.













