Kreu i Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, ngre alarmin mbi zhvillimet në zonën turistike të Thethit, duke akuzuar qeverinë se po i hap rrugë oligarkëve për të përvetësuar zhvillimin e turizmit në këtë rajon malor që ka njohur një bum vitet e fundit.
“Në Theth askush nuk e mendonte se mund të ecte turizmi në këtë lloj niveli që eci”, tha Roshi në intervistën me gazetarin Bejdo Malo në Shijak, duke shtuar se zhvillimi i papritur ka tërhequr vëmendjen e grupeve të fuqishme ekonomike.
Sipas tij, tani janë oligarkët ata që pritet të përfitojnë nga ky zhvillim, ndërsa banorët vendas rrezikojnë të mbeten të përjashtuar nga përfitimet.
“Ecja e turizmit tërheq vëmendjen e oligarkëve. Do të jenë ata që do ta zhvillojnë atë, asnjë njeri tjetër”, u shpreh Roshi me shqetësim.
Ai theksoi se shumë ndërtime në zonë ishin bërë pa themel ligjor, shpesh në mënyrë të improvizuar, por shtoi se kishte mekanizma për t’i rregulluar ato, nëse do të kishte vullnet dhe plan të qartë, përfshirë votimin nga komuniteti për planet urbane.
“Shumica ishin ndërtesa pa themel… Por nëse ti do t’i zgjidhësh dhe ke një plan, sepse dhe planet urbane bëheshin duke votuar komuniteti atje”, shtoi Roshi.
Por ai akuzoi Kryeministrin Edi Rama se po vepron si të ishte pronar i zonës, duke marrë vendime pa respektuar vullnetin e banorëve lokalë.
“Rama mendon se është në çifligun e vet. Në mendjen e një diktatori kjo është”, – deklaroi ai, duke e konsideruar shkatërrim të mundësive për të ardhmen e banorëve të Thethit.
“Është për të ardhur keq atje që prishi të ardhmen e atyre njerëzve”, përfundoi Roshi.










