Kreu i Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, ka komentuar me tone të ashpra situatën politike në vend, duke e cilësuar reformën politike si të dështuar dhe të mbushur me dëshpërim. I ftuar në intervistë nga gazetari Bejdo Malo në Shijak TV, ai akuzoi Ramën për sjellje të qëllimshme destabilizuese në jetën politike shqiptare.
“Ka një lloj dëshpërimi në tërësi gjithë reforma politike shqiptare dhe sigurisht edhe elementë të opozitës”, tha Roshi.
Sipas tij, Edi Rama nuk është një politikan që ndjek lëvizje të maturuara apo kalkulime politike, por ndjek instinkte dhe sjellje që synojnë të provokojnë dhe të tërheqin vëmendjen me çdo kusht.
“Rama ka luajtur gjithmonë me… Nuk është Rama një politikan që të bëjë kalkulime, të bëjë lëvizje të qeta, të buta. Ai kërkon të tërheqë çdo lloj vëmendjeje, kundër çdo rregulli”, u shpreh Roshi.
Duke folur për një episod të ndodhur së fundmi në Theth, Roshi akuzoi Kryeministrin për manipulim të qytetarëve dhe për tentativa për të përfituar politikisht në mënyrë të pandershme.
“Para zgjedhjeve, Rama iu drejtua disa njerëzve në Theth, që i kishte aty, dhe u tha ‘ju mund të vazhdoni investimet’. Por këta njerëz duhet të kishin mësuar nga e kaluara për të mos e besuar”, theksoi ai.
Ai vuri theksin edhe tek e kaluara politike e Ramës dhe familjes së tij, duke e lidhur me komunizmin dhe duke e cilësuar filozofinë e majtë si kundërshtare të jetës.
“Si mund ta besosh një të majtë? Baba i tij komunist, vetë ai komunist… Po besove komunizmin, atëherë ti je në të kundërtën e jetës”, u shpreh Roshi, duke e konsideruar këtë një ndjenjë të thellë intuitive te çdo shqiptar.










