Shpërthimi i ndodhur mbrëmjen e së mërkurës pranë ambienteve të Burgut të Fushë-Krujës ka ngritur shqetësim për autoritetet, ndërsa burimet konfidenciale, bëjnë të ditur se lënda plasëse e përdorur dyshohet të ketë qenë artizanale dhe është vendosur në afërsi të gjeneratorit dhe kabinave elektrike të institucionit.
Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka pasur persona të lënduar apo dëme materiale. Megjithatë, autoritetet nuk përjashtojnë pistën e një tentative për arratisje apo krijimin e një situate kaosi brenda institucionit, duke shtuar se hetimet janë në vijim nga një grup i posaçëm hetimor.
Aktualisht, puna në burgun e Fushë-Krujës vijon normalisht dhe nuk ka pasur ndërhyrje nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve gjatë natës.
Autoritetet po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar çdo lëvizje të dyshimtë përreth perimetrit të sigurisë së burgut, ndërsa pritet që në orët në vijim të dalin më shumë detaje mbi autorët dhe motivet e mundshme të ngjarjes.













