LajmePolitika

Ndahet nga jeta Tomorr Dosti, Roshi: Një figurë e së djathtës shqiptare që la gjurmë në politikë

Kreu i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Tomorr Dostit, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura dhe ish-sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike.

Në mesazhin e tij, Roshi vlerëson figurën e Dostit, kontributin e tij politik dhe lidhjen me trashëgiminë e Hasan Dostit dhe të Mid’hat Frashërit, ndërsa kujton edhe shqetësimet e tij për gjendjen e demokracisë dhe përfaqësimin e së djathtës historike në Shqipëri. Ai shpreh ngushëllimet për familjen dhe të afërmit, duke e cilësuar largimin e tij si një humbje të ndjeshme.

“Tomorr Dosti u largua nga kjo bote

Tomorr Dosti i biri i Hasan Dostit pasardhesit politik të Mid’hat Frashërit në krye te Komitetit Shqipëria e Lirë dhe të Ballit Kombëtar Demokrat në Amerike, largohet përfundimisht nga bota jonë që nuk përfill vlerat por antivlerat.

Tomorr Dosti ishte një burrë që meritonte plotësisht etiketimin “ZOTERI”, një burrë fjalë pak që mendonte thellë, i heshtur nga vuajtjet e komunizmit, i matur nga fisnikëria genetike, i mënçur si i ati i tij Hasan Dosti.

Nuk e harroj dot ngrohtësinë e fjalëve të tij sa herë më takonte, për punën time në vazhdimësinë politike të ideve të Mid’hat Frashërit, “ Turi, krenaria jote për Mid’hatin më kënaq shumë”.

Ishte një njeri që e kishte brengë demokracinë e vendit pse nuk funksiononte, gravitetin e të djathtës që nuk llogariste faktorin politik historik të Ballit Kombëtar Demokrat të babait të tij dhe Mid’hat Frashërit.

Tomorr Dosti la gjurmë në politikën e vendit tonë si deputet i kuvendit te Shqiperise ne dy legjislatura dhe sekretar i pergjithshëm i Partisë Demokratike.

Gjej rastin të ngushëlloj familiarët e tij , të gjejnë kurajo për te perballuar humbjen e tij që krijon një boshllëk të madh për shkak të mirësisë që mishëronte dhe personalitetit te tij.

U prehsh në paqe Tomorr Dosti !

Më lëndove me Lamtumirën tënde !”, shkruan në FB kreu i PBKD, Artur Roshi.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts