LajmePolitika

Përkujtimorja për Abaz Kupin/ Artur Roshi: Mazhoranca ka instaluar një “diktaturë amorfe”, vota e lirë është zgjidhja

Ceremonia përkujtimore në nder të Abaz Kupit, e organizuar nga kryetari i PD-së, dega Krujë, Aulon Kalaja, u shndërrua edhe në një platformë me mesazhe të forta politike nga opozita.

Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, krahas vlerësimit për figurën e Abaz Kupit dhe trashëgiminë e nacionalizmit shqiptar, hodhi akuza ndaj mazhorancës, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si një “diktaturë amorfe” që, sipas tij, ka marrë peng administratën, biznesin dhe qytetarët. Roshi theksoi se rivendosja e votës së lirë dhe forcimi i vlerave konservatore janë rruga për rikthimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Fjala e plotë e kreut të Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi:

Sot vij të nderoj jo thjesht një personalitet të zonës së Krujës si Abaz Kupi, por vijmë ta respektojmë rrënjët e nacionalizmit shqiptar me të cilën lidhet ngushtë ky njeri i shquar i Krujës. Vijmë jo thjesht të kujtojmë veprën e Abaz Kupit, por marrim shtysa nga idetë kombetare të tij, që ai dhe nacionalistët e rangut të tij predikuan gjatë kohës së jetës së tyre. Askush nuk mund të mohojë rolin e Abaz Kupit në Mukje, për një front të përbashkët kundër armikut. Ai u bë anëtar i komitetit ‘Shqipëria e Lirë’, e mbështetur fort nga qeveria amerikane duke përfaqësuar lëvizjen e legalitetit të udhëhequr nga gjeniu i kombit Mit’hat Frashëri.

Që të ishe pjesë e këtij komiteti duhet të mos kishe qenë bashkëpunëtor me fashizmin, kjo ishte një pistë atutore e tij. Nga ana tjetër nuk mund të kishe mbështetjen e shtetit amerikane nëse do të kishte bashkëpunëtor fashizmi në këtë komitet. Pra, nuk është ashtu siç thuhet nga historografia komuniste. Është njëlloj si sot në statutin e Ballit Kombëtar Demokrat thuhet se nuk mund të jesh anëtar i saj nëse ke qenë komunist. Po e njëjta gjë është edhe në statutin e Lëvizjes së Legalitetit. Prandaj, sot këtu, na lidhin parimet, mënyra e të menduarit për një Shqipëri të lirë, të drejtë dhe demokratike. Nacionalizmi shqiptar, ishte një nacionalizëm unik në Europë, me karakter pozitiv i cili mund të krahasohet me nacionalizmin Çek, me asnjë tjetër. Ai ishte për një fqinjësi të mirë dhe për një respekt reciprok me fqinjët.

Nacionalizmi shqiptar në thelb, përveç kuptimit të vet të termit nacionalist, ka qenë një patriotizëm me shkallë sipërore që predikon idetë, atë që sot mbështetet në filozofinë politike të konservatorizmit modern europian. Mbi fillin e ideve të nacionalizmit shqiptar u realizua njehsimi i gjuhës shqipe, i cili mban firmën e Mit’hat Frashërit, kryetarit të Kongresit të Manastirit. Thënë ndryshe, historia politike e nacionalizmit shqiptar është gjurma politike e materializuar e filozofosë politike konservatore europiane në historinë politike në vendin tonë. dhe si e tillë përbën, gravitetin e bindjeve të djathta në vendin tonë.

Në këtë kontekst, dua të them dhe dua të shtoj se, ata që kanë fuqinë politike djathtas, se nuk mund të zhvillojmë të djathtën duke mos potencuar historinë politike të saj. Ne të djathtët besojmë shumë se forca e lirisë së njeriut është koncepti moral jo paratë e pista të trafikut që po merr më qafë hallexhinjtë për bukën e gojës. Moraliteti mbase nuk është mbretëria e arsyes, por e besimit dhe e forcës po. Prandaj, filozofia jonë si opozitë është që ti japim të drejtë edhe arsyes dhe mendimit. Ti japim vërtetësi vlerave tona, vlerave të kombit tonë. Filozofia politike konservatore ku ne mbështesim bindjet tona, pushtetin e ngre mbi lirinë dhe vetë lirinë e shes si një streh të mirëqenies. Të drejtën e krijon nga përvoja dhe e shoqëron atë me premisa të pandryshueshme të saj ku shteti ka detyrim për krijimin dhe ruajtjen e së drejtës.

Mazhoranca sot  ka instaluar një diktaturë amorte. Ka krijuar një moral politik që mbahet në këmbë për hir të shenjtorëve të vet, për hir të mëkateve të tij. Ata shtetin e konsiderojnë, e quajnë si pronë të tyre. Kanë krijuar shtetin e pengut, ku administrata është një peng në vendin e punës. Biznesi është peng i monopoleve, qytetarët janë peng i ekzistencës së tyre njerëzore. Pensionistët janë peng i mëshirës së tyre. Demokracia nuk është një ndërtim  që kur nuk ke lekët të ndërtosh katin e dytë por bën të parin, ai mbetet përfundimisht. Ajo funksionon mbi disa rregulla që nëse nuk i respekton, rrënohet tërësisht, pavarësisht se ka ekzistuar më parë.

Vota e lirë është tharmi lëndor i proceseve demokratike, sepse numërimi i votës lidhet direkt me lirinë tonë, me lirinë e tregut, me lirinë e pronës, me lirinë për të jetuar dhe vepruar ne si njerëz. Qeveria teknike realizoi reformën territoriale dhe sistemi i votës së lirë është zgjidhja jonë e vetme. Ne nuk heqim dorë nga besimi tek aleatët, prandaj e mirëpresim me kënaqësi ambasadorin amerikan në shtator.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts