Paralajmërimi i biznesmenit Behgjet Pacolli se kompania MABCO Constructions SA do t’i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar, nëse qeveria shqiptare zyrtarizon prishjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, rikthen në vëmendje një nga skenarët më të kushtueshëm për shtetin shqiptar, përballjen me investitorët në gjykatat ndërkombëtare.
Megjithëse ende nuk është depozituar një padi dhe nuk dihet se sa do të jetë shuma që MABCO mund të kërkojë si dëmshpërblim, deklarata e Pacollit lë të kuptohet se kompania po përgatitet për një betejë ligjore me pasoja potencialisht të mëdha financiare.
Çfarë ka deklaruar Pacolli?
Në reagimin e tij publik, Pacolli thekson se kompania nuk është njoftuar zyrtarisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për nisjen e procedurës së zgjidhjes së kontratës dhe se lajmin e ka mësuar përmes mediave.
Ai paralajmëron se, nëse procedura konfirmohet, MABCO do t’i drejtohet arbitrazhit tregtar ndërkombëtar, duke argumentuar se kompania është penguar padrejtësisht të përfundojë projektin.
Ndër të tjera, në rrjetet sociale ai shkruan se “MABCO është ekspozuar financiarisht me mbi 320 milionë euro, pa përfshirë humbjen e fitimit dhe kostot ligjore. Kompania kishte përfunduar pothuajse të gjitha detyrimet kontraktore dhe ndodhej vetëm pak para fazës së certifikimit të aeroportit.”
Pacolli nuk ka bërë publike se çfarë vlere do të kërkojë kompania nëse çështja shkon në tribunal ndërkombëtar, por ai flet si fillim për ekspozimin financiar të MABCO-s, duke saktësuar se kësaj shifre nuk i janë shtuar ende humbja e fitimit dhe kostot ligjore.
Po ashtu, ai pretendon se, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, kompania u pengua të hynte në kantier për të përfunduar punimet, ndërsa pajisje me vlerë u dëmtuan ose u vodhën. Sipas tij, institucionet nuk mund të përdorin si argument për prishjen e kontratës një situatë që, sipas pretendimeve të MABCO-s, është krijuar nga vetë veprimet ose mosveprimet e shtetit.
“Fatura mund të shkojë në 500 milionë euro”
Për çështjen ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ka deklaruar se zgjidhja e kontratës mund t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë deri në 500 milionë euro.
“Shqiptarët, për pasurimin e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, për plaçkitjen nga ana e tyre të paktën 130 milionë eurove biletat e munguara, po prishin një kontratë, për të cilën garantoj qytetarët e këtij vendi se do gjobiten me së paku 500 milionë euro.
Po prishin një kontratë dhe po prishin kontratën vetëm e vetëm se e panë që Behgjet Pacolli nuk ka ndërmend t’u njohë atyre aksionet që këta pretendojnë se kompania turke ia ka dorëzuar Behgjet Pacollit për në pronësi të tyre.
E kuptoni? Pra, këtu janë, është një treshe faqezezë Edi Rama, Lubi Balluku, Taulant Balla, të cilët kanë përdorur atë ortakun tjetër të ndërtimit për t’ia marrë Pacollit aksionet”, u shpreh Berisha.
Megjithatë, deri më tani nuk është bërë publike ndonjë kërkesë zyrtare në arbitrazh me këtë vlerë dhe as nuk është shpjeguar mbi çfarë baze është përllogaritur kjo shifër.
Precedenti Becchetti
Nëse përplasja mes shtetit shqiptar dhe MABCO-s përfundon në arbitrazh, kjo nuk do të ishte hera e parë që Shqipëria përballet me një proces të tillë.
Precedenti më i njohur mbetet ai i biznesmenit italian Francesco Becchetti, i cili paditi Shqipërinë pranë tribunalit të International Centre for Settlement of Investment Disputes, duke pretenduar se shteti kishte shkelur marrëveshjen për mbrojtjen e investimeve.
Në vitin 2024, tribunali arbitral vendosi që Shqipëria të dëmshpërblente Becchettin dhe palët e lidhura me të me rreth 110 milionë euro, përfshirë dëmet, interesat dhe një pjesë të kostove të procedurës. Vendimi u konsiderua një nga humbjet më të mëdha financiare të shtetit shqiptar në një arbitrazh ndërkombëtar.

Çfarë pritet të ndodhë?
Aktualisht nuk ka një procedurë të regjistruar arbitrazhi dhe as një kërkesë zyrtare për dëmshpërblim nga MABCO.
Megjithatë, nëse Ministria e Infrastrukturës finalizon zgjidhjen e kontratës dhe palët nuk arrijnë një marrëveshje, mosmarrëveshja mund të kalojë në arbitrazh ndërkombëtar.
Në këte rast, tribunali do të duhet të shqyrtojë dokumentacionin kontraktor, pretendimet e investitorit dhe mbrojtjen e shtetit shqiptar për të vendosur nëse ka pasur shkelje të kontratës dhe nëse lind e drejta për kompensim. Vetëm pas këtij procesi do të mund të përcaktohej nëse Shqipëria do të përballet me një tjetër faturë të rëndë, pas precedentit të çështjes Becchetti./Politiko.al/











