Agjencia amerikane Bloomberg raporton se një valë hetimesh dhe skandalesh korrupsioni po rrezikojne të minojnë stabilitetin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama, në një moment kur vendi po promovon projekte të mëdha strategjike dhe investime të huaja.
Sipas shkrimit, ndonëse projekti i Jared Kushner për zhvillimin e një ishulli në Adriatik vijon, Shqipëria është përfshirë nga një numër i paprecedentë hetimesh penale që prekin zyrtarë të lartë dhe projekte infrastrukturore kyçe, veçanërisht në Vlorë, ku po hetohen aeroporti ndërkombëtar dhe një tunel autostrade.
Bloomberg thekson se SPAK ka ngritur akuza ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, për shkelje të barazisë në tendera publikë, duke e bërë atë zyrtaren më të lartë nga rrethi i ngushtë i Ramës që përballet me ndjekje penale.
Paralelisht, disa drejtues agjencish janë vënë në arrest shtëpie, ndërsa Kuvendi ka marrë kërkesë zyrtare për heqjen e imunitetit të Ballukut.
Situata rëndohet më tej me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, një tjetër aleat i afërt i Ramës, i akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Ndërsa Rama ka deklaruar se mbështet hetimet, ai ka kritikuar pezullimin e Ballukut, duke e cilësuar si ndërhyrje që dëmton funksionimin e qeverisë dhe ka paralajmëruar kundër “gjykimit politik dhe mediatik”.
Bloomberg vë në dukje se hetimet ndaj Aeroportit të Vlorës, i promovuar nga Rama si simbol i ambicies së Shqipërisë, kanë çuar në pezullimin e fazës përfundimtare të ndërtimit, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e projekteve madhore dhe besueshmërinë e qeverisë në luftën kundër korrupsionit.
“Në Shqipëri, një propozim për të transformuar një ishull të izoluar në Adriatik po ecën përpara, ndonëse vendi është i zhytur në një sërë skandalesh korrupsioni që rrezikojnë të minojnë qeverinë.
Prokuroria e posaçme ka hapur hetime për projektet më të mëdha infrastrukturore në Vlorë, në bashkinë ku është planifikuar investimi. Ato lidhen me një aeroport të ri ndërkombëtar dhe një tunel autostrade,” shkruan Bloomberg.
“Ky vit ka sjellë një numër të paprecedentë hetimesh për projekte dhe zyrtarë të nivelit të lartë në Tiranë, përfshirë disa nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ramës.
Muajin e kaluar, Prokuroria e Posaçme, e njohur si SPAK, ngriti akuza ndaj Belinda Ballukut, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe zëvendëskryeministre e Ramës. Akuzat lidhen me “shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë ose ankande publike”, e dyshuar se është kryer në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë.
Ajo është zyrtarja me pozicionin më të lartë nga rrethi i ngushtë i Ramës që përballet me akuza. Edhe disa drejtues agjencish dhe anëtarë të komisioneve të prokurimit janë akuzuar për të njëjtën vepër penale dhe ndodhen në arrest shtëpie.
Balluku u pezullua nga detyrat e saj në kabinet dhe iu ndalua dalja nga vendi. Ajo mohon çdo shkelje, duke i quajtur akuzat “shpifje, insinuata, gjysmë-të-vërteta dhe gënjeshtra”. Ajo premtoi bashkëpunim të plotë me autoritetet.
Këtë javë, SPAK i paraqiti zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë një kërkesë për heqjen e imunitetit të Ballukut për ndjekje penale. Ajo është gjithashtu nën hetim për përfshirjen e saj në shtatë procedura të tjera të prokurimit publik të lidhura me projekte të mëdha infrastrukturore në Tiranë, bëri të ditur SPAK.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, një tjetër aleat i afërt i Ramës, u arrestua më herët gjatë vitit me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Ndërsa kryeministri i mirëpriti hetimet, ai paralajmëroi kundër “dënimit në gjykatën e politikës ose të medias”. Ai e kritikoi pezullimin e Ballukut si një “ndërhyrje të ashpër” në pushtetin ekzekutiv, që pengon aftësinë e qeverisë për të funksionuar.
“Qëllimi fisnik i luftës kundër korrupsionit nuk justifikon përdorimin e mjeteve të gabuara,” tha Rama. Zyra e tij nuk iu përgjigj kërkesave për intervistë apo koment për këtë artikull.
SPAK po heton gjithashtu Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, një nga projektet kryesore infrastrukturore të Shqipërisë, me fokus kontratën e koncesionit.
Aeroporti duhej të kishte hyrë në funksion gjatë verës për të përballuar një numër rekord turistësh. Gjatë një vizite në mars, Rama e quajti aeroportin “një pasqyrë të ambicies sonë”. Në vend të kësaj, faza përfundimtare e ndërtimit është pezulluar,” shkruan media e njohur amerikane.











