Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimi penal ndaj Belinda Ballukut, tashmë të pezulluar nga detyra dhe ish kreut të Tatimeve, aktualisht deputet i PS, Ceno Klosi.
“Prokuroria e Posaçme ka njoftuar se është regjistruar procedimi penal me Nr.95, viti 2025, mbi bazën e kallëzimit penal të depozituar nga shtetasja Adriana Kalaja kundër shtetasve Belinda Balluku, Ceno Klosi etj.
Materiali kallëzues shtesë ardhur dhe protokolluar më datë 16.09.2025, në lidhje me këtë kallëzim është administruar në kuadër të procedimit penal Nr.95, viti 2025.
Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake”, njofton SPAK.

Kallëzimi penal u depozitua në lidhje me “shpërdorim detyre” dhe “shkelje e barazisë në tendera”.
Belinda Balluku u mor e pandehur dy javë më parë për akuzën e prishjes së barazisë në tendera. Të enjten ajo u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës Speciale dhe iu ndalua udhëtimi jashtë vendit.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi po ashtu të shtunën më 22 nëntor të vazhdojë zbatimin e masave të sigurimit personal të caktuara ndaj zëvendëskryeministres Balluku, për pezullim nga detyra dhe ndalim të daljes jashtë shtetit të saj, pas marrjes së pandehur nga ana e SPAK për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe të lotit 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, vepra penale të kryera në bashkëpunim me vartësit e saj.
Sakaq, kryeministri Edi Rama sulmoi SPAK-un lidhur me mesat e caktuara ndaj Ballukut dhe deklaroi se mazhoranca do ta ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që qeveria do të operojë pa zëvendëskryeministër dhe pa ministër të Energjisë dhe Infrastrukturës.












