EditorialLajme

Zgjedhjet në Vlorë: Asnjë nuk pranon të kandidojë për Partinë Demokratike

Nga Artur Bajaj

Kanditaturat e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Vlorës”, është kjo një nga temat më interesante të këtyre ditëve. Një ngërç i vërtetë politik që lidhet me paaftësi të qartë për të drejtuar një parti. Dhe jo një parti çfarëdo, por partinë e dytë më të madhe në vend.
Teksa Sali Berisha shprehet qartë se kandidatët e Partisë Demokratike duhet të jenë të pavarur dhe jo personazhe politikë, edhe nëse vendimi do të merrej ndryshe, askush nuk do të ishte aty për ta përkrahur atë. E thënë më ndryshe, askujt nuk i intereson për të qenë fytyra e këtyre zgjedhjeve me emrin e Partisë Demokratike. Të gjithë emrat e propozuar shprehen se për shkak të disa “arsyeve personale” nuk mund të kandidoj. Por kjo arsye personale është më se e qartë. Askush nuk kërkon të humbasi këtë betejë “të pamundur”.
Edhe pse shumë prej këtyre personave, disa prej të cilëve edhe kandidatë për deputet, para pak kohësh nën moton “Shqipëria Madhështore”, kërkonin vota, besimplotë drejt fitores dhe përmbysjes së regjimit, sot i kthejnë kurrizin votuesve të tyre dhe demokratëve të qytetit, njësoj sikur të mos jenë ata “opozitarët” apo “qëndrestarët e vërtetë”. Sikur të mos jenë ata, të njëjtët persona që do të kërkojnë edhe një herë tjetër të jenë në listat e sigurta për këshillin bashkiak në vitin 2027 apo edhe në listën e kandidatëve për deputet në vitin 2029.
Kryeministri ynë, nuk ka kryer punë propagandistike vetëm për votuesit e thjeshtë, por edhe për drejtuesit e opozitës, të cilët tani më, kanë ngulitur në mendjen e tyre se Bashkia Vlorë nuk mund të drejtohet më kurrë nga një demokrat. E për këtë arsye, ata nuk duan të ndotin emrin dhe figurën e tyre politike për një garë ku do të hyjnë për të humbur.
Ndërsa për sa i përket anës së majtë politike, Brunilda Mersini nuk pati asnjë “arsye personale” për të mos kandiduar në këto zgjedhje të pjesshme edhe pse ishte pjesë e listës së hapur në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura vetëm pak muaj më parë.
Gjithashtu kandidaturat e pavarura janë një prej alternativave që duhen të konsiderohen, e sidomos në momentet kur askush nuk mban asnjë përgjegjësi, por gjithsesi duhet shqyrtuar me detaje background-i i tyre, aktivitetet dhe bindjet politike.
Në një regjim diktatorial si ky i këtyre 12 viteve të fundit që ende vazhdon, opozitarët e vërtetë janë ata që janë përballur dhe po përballen çdo ditë me regjimin duke bërtitur padrejtësitë e kryera nga institucionet qeverisëse, dhe jo ata që kërkojnë të luajnë teatër duke u hequr si opozitarë vetëm kur u interesojnë!

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts