Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin lidhur me kërkesën e paraqitur nga Erion Veliaj, që kërkon shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra si kryetar i Bashkisë Tiranë, si dhe shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme në këtë bashki.
Në vendimin e zbardhur këtë të enjte, Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës për pjesën që lidhet me Bashkinë Tiranë, konkretisht për caktimin e datës së zgjedhjeve në këtë njësi të qeverisjes vendore.
Vendimi është marrë në zbatim të nenit 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës, si dhe në bazë të nenit 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nenit 27 të Rregullores së Procedurave Gjyqësore të kësaj gjykate.
Pezullimi do të qëndrojë në fuqi deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e akteve të kundërshtuara.
Berisha: Iu bë një shërbim rendit kushtetues
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dalë në një deklaratë para mediave ku ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës. Berisha u shpreh se ky vendim është një akti i rëndësishëm i cili mbron Kushtetutën e vendit.
“Sot Gjykata Kushtetuese mori një vendim të cilin unë e përshëndes si një akt të një rëndësie të madhe në mbrojtje të Kushtetutës së vendit, në mbrojtje të kushtetutshmërisë së rendit. Përshëndes vendimin unanim të gjykatësve të cilët mbrojtën kushtetutën nga armiqtë e tyre, nga horrat e shtetit. Unë iu paralajmërova që do të veprojnë në këtë këtë mënyrë duke anashkaluar Gjykatën Kushtetuese me pretendimin banal që Këshilli i Ministrave qenka noteri i Këshillit Bashkiak.










