Një artikull nga media gjermane MDR.de analizon se si Kryeministri Edi Rama shpesh përdor strategji mediatike dhe performanca publike për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.
Së fundmi, ishte kur ai prezantoi “Diellen”, ministren virtuale të parë në Evropë, e cila do të mbikëqyrë prokurimet publike në Shqipëri.
Ndërsa kjo ide është përshëndetur jashtë, brenda Shqipërisë ajo është pritur me skepticizëm dhe ironinë, pasi problemet bazë infrastrukturore dhe administrative mbeten të pazgjidhura.
Artikulli thekson se imazhi është bërë mjet politik: ndërtimet moderne, aktivitetet simbolike, hyrjet në projekte arkitekturore, prezenca në rrjetet sociale të gjitha kontribuojnë në krijimin e një “marke” Shqipërie që duket inovative dhe progresive për të huajt, por realiteti për shumicën e qytetarëve shpesh është i ndryshëm.
Problemet si mungesa e ujit të pijshëm, probleme me transportin dhe vonesat në projekte publike nuk përmirësohen me fasada dhe avatarë.
Përveç “Dielles”, artikulli citon edhe përpjekjet e Ramës që përdorë diplomacinë për imazh (si marrëveshja për qendrat e azilit me Italinë), apo projektin fillestar për “shtetin bektashi”, që pas debatit dhe zhurmës u fik.
Shqipëria bën shpesh bujë në mediat ndërkombëtare – së fundmi me një ministre virtuale. Kryeministri Edi Rama e zotëron lojën e tërheqjes së vëmendjes si askush tjetër. Ajo që admirohet jashtë, shkakton zhgënjim brenda vendit. Por kjo prani e vazhdueshme në media nuk është qëllim në vetvete; ajo ndjek një strategji të qartë.
Një grua me shikim të ashpër dhe me shami të bardhë – por vetëm virtuale: “Diella” (në shqip “dielli”) është ministrja e parë artificiale (AI) në Evropë. Një avatar që në të ardhmen do të mbikëqyrë prokurimet publike në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama e prezantoi atë si pjesë të kabinetit të tij të ri në mesin e shtatorit. Ai sapo kishte fituar zgjedhjet parlamentare të majit, duke siguruar mandatin e tij të katërt radhazi. Mediat në mbarë botën raportuan menjëherë për këtë. Për një moment, Shqipëria u duk më pranë së ardhmes se shumë vende të Bashkimit Evropian.

“Ky vend është vazhdimisht në fushatë zgjedhore”
Por në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, mbizotëruan skepticizmi dhe ironia. Shumë u ndjenë të provokuar nga lajmi. Ndërsa vendi shkëlqen ndërkombëtarisht me idenë e tij inovative, në disa pjesë të qytetit edhe uji i pijshëm nuk vjen rregullisht nga çezmat. Në Indeksin Global të Inovacionit, Shqipëria renditet në pjesën e poshtme të mesit – në vendin e 84-të nga 133 ekonomi të marra në analizë.
“Ka shumë zhurmë për pak përparim,” thotë Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER). Sipas tij, ministrja artificiale është një truk propagandistik i krijuar kryesisht për të gjeneruar klikime. “Ky vend është gjithmonë në mes të një fushate zgjedhore,” shton Preçi – duke nënkuptuar se veprimet e qeverisë ndikohen fort nga stunte mediatike dhe politika simbolike afatshkurtër.

Nuk është hera e parë që Edi Rama e ka vënë vendin e tij me mjeshtëri në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Vitin e kaluar ai ngjalli debat me njoftimin për krijimin e një “shteti bektashi” – një lloj mini-Vatikani për urdhrin dervish islamik në zemër të Tiranës. Që nga ajo kohë, planet janë shuar në heshtje. Ende nuk është e qartë nëse projekti po ecën përpara. As agjencia shtetërore e medias MIA, as zëdhënësi i shtypit të komunitetit bektashi nuk iu përgjigjën pyetjeve të MDR-së deri në momentin e publikimit.
Politika si skenë
Rama përdor gjithashtu diplomacinë si platformë për imazh. Ai nënshkroi një marrëveshje me kryeministren italiane Giorgia Meloni për krijimin e qendrave të azilit në territorin shqiptar. Lajmi bëri xhiron e botës. Mbështetësit e panë si një zgjidhje për “problemin e migracionit” të Evropës, ndërsa kritikët paralajmëruan për shkelje të të drejtave të njeriut.
Plani, megjithatë, dështoi në formën e tij fillestare. Gjykatat italiane e shpallën të papranueshëm dhe azilkërkuesit u kthyen mbrapsht. Për Shqipërinë kjo kishte pak rëndësi: Rama kishte arritur tashmë ta paraqiste veten si zgjidhës problemesh për BE-në dhe si aleat i së djathtës në ngritje.

Kjo politikë e vazhdueshme simbolike mban rrezikun që çdo masë qeveritare të duket e parëndësishme. Kur Shqipëria pranoi përkohësisht refugjatë afganë në verën e vitit 2021, shumë në vend e panë edhe atë si një veprim për imazh. Por ta reduktosh atë vetëm në simbolikë nuk do t’i bënte drejtësi përpjekjeve të njerëzve të përfshirë: mijëra persona gjetën strehë dhe kujdes në Shqipëri për muaj me radhë, përpara se të udhëtonin drejt Kanadasë apo SHBA-së.
Mjeshtëria e komunikimit e kryeministrit shihet edhe në rrjetet sociale. Me 674 mijë ndjekës, ai është ndoshta influencuesi politik më i madh në vend. Herë pas here ai njofton vendime dhe ligje të reja në Instagram dhe Facebook. Kur gjatë një transmetimi live i shpëtoi një “fuck” i zëshëm, Rama e ktheu menjëherë gafën në avantazh: postoi një video ironike, të montuar si mesazh dashurie të prishur nga Giorgia Meloni. Gafa u kthye në hit viral.
Dukshmëria është kapitali i Ramës
Vetë Tirana është bërë një vitrinë e politikës së imazhit të Edi Ramës: ndërtesa të larta moderne me fasada xhami dhe forma futuriste, të projektuara nga arkitektë të famshëm ndërkombëtarë, po dominojnë gjithnjë e më shumë horizontin e qytetit. Firma holandeze MVRDV, për shembull, po ndërton një kullë me formë që kujton kokën e heroit kombëtar Skënderbeu.
Pas kësaj fshihet një llogari e qartë: ndërtesat synojnë të japin mesazhin e përparimit dhe të tërheqin investitorë e turistë. Revista ndërkombëtare të arkitekturës e lavdërojnë tashmë Tiranën si një “hotspot” të dizajnit jokonvencional.
Në këtë sfond, pavijoni shqiptar në Bienalen e Arkitekturës në Venecia duket pothuajse i parëndësishëm: një hapësirë e thjeshtë me shumë sipërfaqe të rrafshëta. Por në hapje, aty u mblodhën arkitektë me famë botërore si Bjarke Ingels dhe Winy Maas. “Kjo ishte performanca e vërtetë,” kujton një vëzhgues i vëmendshëm, sepse prania e yjeve tërhoqi sërish gjithë vëmendjen drejt Shqipërisë.

Në vend, njerëzit janë më pak të impresionuar, sepse pas fasadave që shkëlqejnë të Tiranës, infrastruktura mbetet e rrënuar: furnizimi me ujë dhe sistemi i transportit mezi mbajnë hapin me bum-in e ndërtimit, kritikojnë urbanistët vendas.
Megjithatë, strategjia e Ramës po funksionon – jashtë vendit, Shqipëria është më e kërkuar se kurrë. Në vitin 2024, mbi njëmbëdhjetë milionë turistë vizituan një vend që dikur shihej si i varfër dhe i rrezikshëm.
Që kur mori detyrën në vitin 2013, imazhi i vendit ka ndryshuar rrënjësisht: nga “shteti gangster” në “Maldive të Evropës”. Për një vend të vogël si Shqipëria, vëmendja është monedhë politike – dhe prania e vazhdueshme e Ramës në media nuk është qëllim në vetvete. Dukshmëria është kapitali i tij.
Nëse dikush do të flasë ende për ministren artificiale “Diella” pas disa javësh, mbetet për t’u parë. E vetmja gjë e sigurt është se Shqipëria do të dalë sërish në titujt e mediave me historinë e saj të radhës – dhe nuk do të zhduket nga faqet e para për një kohë të gjatë.













