SPAK dhe Policia e Elbasanit po zhvillojnë mëngjesin e kësaj të hëne një operacion të gjerë kontrolli në kuadër të hetimeve për inceneratorin e këtij qyteti.
Burime për mediat bëjnë me dije se janë ushtruar kontrolle në 14 banesa të personave që dyshohet se kanë lidhje direkte apo indirekte me këtë çështje. Hetimet janë përqendruar mbi veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa nuk përjashtohet përfshirja edhe e funksionarëve publikë.
Hetimet për inceneratorin kanë nisur më shumë se një vit më parë, pas një ngjarjeje të rëndë në fushën e mbetjeve të qytetit, e cila u përfshi nga flakët në vitin 2024. Fillimisht, hetimet ishin fokusuar mbi rastin e zjarrvënies, por gjatë procesit hetimor janë zbuluar indicie për abuzime me detyrën.
Pritet që gjatë ditës së sotme të bëhen publike më shumë detaje rreth këtij aksioni dhe të zbardhen rezultatet e kontrolleve të kryera.













