Mjeku Nini Dede ka reaguar ashpër ndaj bllokimit të qarkullimit në Tiranë për shkak të organizimit të ‘Giro d’Italia’, duke e quajtur situatën një “shtetrrethim terrorist në kohë paqeje”.
Sipas tij, ndalimi i qarkullimit të automjeteve dhe, në disa segmente, edhe i kalimit të këmbësorëve, ka paralizuar përditshmërinë e qytetarëve dhe ka rritur kostot e trajtimit të emergjencave shëndetësore dhe jetike.
“Jemi në një kohë kur qytetari lufton për mbijetesë, për një kafshatë bukë, ndërsa shteti bllokon gjithçka për një paradë biçikletash për të huajt. A ia vlen t’i kujtojmë proverbat popullore për fshatin që digjej dhe krehërin për Stambollin?”, shkruan Dede në një status në FB.
Ai kritikon gjithashtu heshtjen qytetare ndaj këtij fenomeni, duke e konsideruar atë si një lloj dorëzimi përballë një realiteti të padrejtë dhe fyes: “Jemi kthyer në emigrantë në vendin tonë. Ashtu siç thuhej dikur për zullumqarin e lagjes në grahmat e fundit: ‘Lëreni të hajë ç’të dojë, se me ditë është!’”
Dede i bën thirrje shoqërisë të zgjohet dhe të mos pranojë më dhunimin e dinjitetit qytetar në emër të spektaklit apo imazhit.
Postimi i plotë në FB:
Shtetrrethim “terrorist” në kohë paqeje!
Bllokimi i qarkullimit të automjeteve në Tiranë, ku në disa segmente ndalohej edhe kalimi në këmbë, paralizoi jo vetëm jetën e përditshme të vrullshme të qytetarëve për mbijetesë, por edhe u rriti kostot e realizimit të disa emergjencave të domosdoshme!
A ia vlen të përmendet ai proverbi i lashtë popullor me krehërin për Stambollin, apo fshati që digjej, kur në kushtet e mbijetesës së një populli vendas që lufton çdo ditë për kafshatën e gojës, shteti organizon parada biçikletash për të huajt?!
Mosreagimi nga asnjë qytetar lidhur me këtë fenomen “përdhunues” të dinjitetit të secilit prej nesh, i tipit “emigrant në vendin tim”, i ngjan pak a shumë një bestytnie të banorëve të lagjes për zullumqarin që është në fund të jetës: “Lëreni të hajë ç’të dojë, se me ditë është!”












