Kreu i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, u shpreh në një intervistë të dhënë në Shijak TV me gazetarin Bejdo Malo, se fushata elektorale po ecën përtej pritshmërive të opozitës, duke theksuar rritjen e mbështetjes si brenda vendit ashtu edhe nga faktorët ndërkombëtarë. Ai tha se plani opozitar në nivel ndërkombëtar po dominon qeverisjen dhe theksoi mbështetjen e qendrës së djathtë europiane, përfshirë Partitë Popullore Evropiane dhe 17 kryeministra në Evropë që i përkasin këtij spektri politik.
Roshi përmendi edhe mbështetjen e eurodeputetëve që kanë vizituar Shqipërinë, si dhe përkrahjen që ka marrë nga një senator italian. Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e SHBA-ve për opozitën, duke veçuar praninë e konsulentit politik Chris LaCivita, të cilin e përshkroi si një figurë me peshë në politikën amerikane dhe me motivim të thellë për të ndihmuar Shqipërinë përmes vlerave demokratike.
“Chris LaCivita nuk vjen as për para, as për lëmoshë. Ai është këtu për bindje personale, për të ndihmuar në rikthimin e demokracisë dhe për të nxjerrë vendin nga mjerimi ku e ka futur qeveria”, deklaroi Roshi.
Artur Roshi:
Fushata po ecën jashtë pritshmërive tona, po ecën më shumë nga sa prisnim ne. Sigurisht, janë një sërë faktorësh. Plani ndërkombëtar opozitar dominon qeverisjen e vendit. Jemi në pozita dominante për përkrahjen që kemi, së fundmi nga Evropa, nga Partitë Popullore Evropiane. Që do të thotë, ka 17 kryeministra në Evropë. Europa është e qendrës së djathtë dhe Europa e qendrës së djathtë mbështet opozitën. Eurodeputetët që janë shprehur, të cilët kanë ardhur dhe në Shqipëri, në Kavajë. Senatori që që unë kam takuar personalisht në Itali, sërish është në mbështetje të plotë.
Pa shmangur këtu, mbështetjen e fortë të SHBA-ve, që vjen në trajta të ndryshme. E para vjen nëpërmjet konsulentit politik sicc është Chris LaCivita, një personalitet i shquar, një milioner, le ta themi këtë që është një milioner. Pra nuk vjen as për lëmoshë e as për para. Ju e dini që 1 milion e ka thënë që vjen për një sadisfaksion, për shtysa të brendshme që e lidh atë me demokracinë në përgjithsësi dhe për formimin e tij që është një marins dhe në këtë konsteks, ai vjen si një human këtu, për ta ndihmuar Shqipërinë për ta nxjerrë nga kthetrat e komunizmit, varfërisë, mjerimit ekstrem ku e ka zhytur qeveria.












