Pesë persona të plagosur me armë është bilanci i një ngjarje që ndodhi në Laç këtë të shtunë.
Policia njoftoi se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit mes disa personave.
Të lënduarit, janë dërguar menjëherë për ndihmë më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Mes të plagosurve është edhe një grua.
Sipas burimeve, të plagosurit janë identifikuar si Amarildo Ndoj, Liridon Ismaili, Daniel Gjeloshi, Geri Bitri dhe Angjelina Gjezaj.
Ngjarja u regjistrua pranë ish-gjykatës së Kurbinit në mes të ditës.
Sipas burimeve, katër të rinjtë, të cilët po lëviznin me automjet, janë përfshirë në një konflikt të momentit me një person, i cili më pas ka qëlluar me armë automatike ndaj tyre.
Angjelina Gjezaj ka qenë rastësisht në vendngjarje dhe ka pësuar plagë nga plumbat, pasi ajo ka qenë duke shitur në trotuar, pranë vendit të ngjarjes.
Të plagosurit janë transportuar menjëherë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku aktualisht po marrin ndihmën e specializuar mjekësore.
Mësohet se në gjendje të rëndë shëndetësore ndodhen Geri Bitri dhe Amarildo Ndoj.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 13.30, pranë ish-Gjykatës së Kurbinit, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit midis disa personave, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri shtetasit L. I., A. Gj., G. N., A. N, dhe D.Gj, të cilët janë dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë.
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin ngjarjes, ku kanë bërë të mundur shoqërimin e disa personave dhe në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e plote të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj, si dhe për kapjen e shtetasit që qëlloi me armë gjatë konfliktit të çastit, i cili është identifikuar nga ana jonë dhe vijon puna për kapjen e tij.











