Politika

Roshi: Në Belsh ndjehet tensioni i mbështetësve të PS… Qytetarët do votojnë për rimëkëmbjen që sjell opozita

Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, një nga përfaqësuesit e koalicionit opozitar, Artur Roshi, ka deklaruar se në Belsh të Elbasanit në takimin e së enjtes vërehej një qëndrueshmëri e qartë e mbështetjes për opozitën, ndërkohë që përkrahësit e Partisë Socialiste kanë nisur të humbasin qetësinë politike.

Sipas Roshit, gjatë takimeve me qytetarët në kuadër të fushatës, dallohet një tension dhe pasiguri në radhët e mbështetësve të qeverisë, të cilët, sipas tij, po reagojnë me arrogancë në vend të qetësisë. “Presioni në stilin e ‘fuksave’ të vjetër dhe ndërhyrjet e patronazhistëve në jetën e përditshme të qytetarëve janë, në thelb, shpallje të programit të tyre të vërtetë, kontrollit dhe frikës,” shkruan Roshi në një postim në FB.

Ai kritikoi ashpër edhe sondazhet proqeveritare, të cilat i cilësoi si pjesë e një “çadre të madhe mashtrimi”, që synojnë të krijojnë një perceptim të rremë të fitores së Partisë Socialiste. “Pompimi artificial i një presioni konstant mbi qytetarët është pjesë e një strategjie propagandistike që nuk funksionon më,” shton ai.

Në përfundim, Roshi shprehu bindjen se qytetarët, ndonëse mund të dëgjojnë propagandën në heshtje, nuk do ta falin dëmin 12-vjeçar që qeveria e PS u ka shkaktuar. Sipas tij, mbështetja për programin rimëkëmbës të opozitës po rritet çdo ditë, pasi prek drejtpërdrejt nevojat reale të qytetarëve.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts