Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në Qarkun e Gjirokastrës, Alma Kore, ka zbuluar për herë të parë një nga risitë kryesore që, sipas saj, do të sjellë qeveria e pas 11 majit në mbështetje të shtresës së ish-të përndjekurve politikë.
Kore ka bërë të ditur se Partia Demokratike parashikon krijimin e Ministrisë së Integrimit Politik, një institucion i dedikuar për trajtimin e çështjeve të ish-të përndjekurve politikë dhe integrimin e tyre të plotë në jetën sociale, ekonomike dhe institucionale të vendit.
Ndër masat konkrete që përmend Kore, përfshihet krijimi i një Komisioni Kombëtar të Viktimave, me qëllim identifikimin dhe dokumentimin e plotë të viktimave të regjimit komunist në Shqipëri. Ajo shtoi gjithashtu se një tjetër hap i rëndësishëm do të jetë zgjatja e afatit të shpërblimit financiar për ish-të përndjekurit, nga 7 vite aktualisht në 25 vite.
“Është koha për drejtësi historike dhe për t’u dhënë zë atyre që kanë vuajtur në heshtje për dekada. Kjo nuk është vetëm një çështje politike, por një detyrim moral”, thotë Kore.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e dijes historike te të rinjtë, të cilët, sipas saj, nuk janë të informuar për vuajtjet që kanë kaluar gjyshërit dhe prindërit e tyre gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Kore theksoi rëndësinë që ka edukimi historik në shkolla për të mbajtur gjallë kujtesën kolektive dhe për të mos lejuar që e shkuara të harrohet apo të mohohet.











