Politika

‘PLUG’ zbuloi aferën 66 mln euro të Tërmet Peçit/ Ristani: Denoncuam në SPAK këtë megavjedhje

Në një deklaratë të djeshme, Arben Ristani, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike dhe kandidat për deputet në Gjirokastër, ka denoncuar një skemë të re korruptive që përfshin disa figura të njohura të administratës lokale dhe biznesit, e realizuar kryesisht në Bashkinë e Tepelenës.

Sipas tij, kjo skemë ka mundësuar që një kompani, e drejtuar nga Lorenc Bami, të përfitojë miliona euro nga tenderat publikë në këtë qark, duke shfrytëzuar dhe abuzuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Në fjalën e tij, Ristani ka zbuluar lidhjet e tjera korruptive, duke përmendur gjithashtu dhurimin e tokës publike për ndërtimin e një Agroturizmi, një projekt i lidhur me motrën e Tërmet Publiçitarit dhe financuar nga fondet e IPARD, të cilat duhej të shkonin për mbështetje të fermerëve.

Ristani ka theksuar se Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në SPAK për këtë çështje dhe ka bërë të qartë se një qeverisje e ardhshme e PD-së do të ndërmarrë masa të rrepta ndaj çdo abuzuesi të parave të taksapaguesve shqiptarë.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë,

Emisioni investigativ PLUG, denoncoi një skemë tjetër korruptive në një ndër qarqet më të varfra të Shqipërisë, në Bashkinë e Tepelenës.

Tërmet PUBLIÇITARI dhe drejtori i tij kamikaz Lorenc Bami, kanë krijuar një skemë të mirëfilltë korruptive për të përfituar 18 milionë euro të ardhura nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Konkretisht në vitin 2017 Lorenc Bami, nëpërmjet gruas së tij themelon kompaninë NG STRUCTURES dhe menjëherë firmosën tendera publikë në Bashkinë Tepelenë dhe Gjirokastër.

Kjo kompani, e vetme dhe në bashkëpunim me operatorë të tjerë, ka rezultuar fituese në tendera me vlerë 66 milionë euro, ku spikasin tenderat e rindërtimit.

NG STRUCTURES rezulton që të jetë kompania e përzgjedhur dhe nga IUMENTIS shpk, kjo e fundit me firmën e Tërmet Publiçitarit ka përfituar tokë publike dhe leje ndërtimi për thertoren rajonale të Qarkut Gjirokastër, e më pas kalon paratë tek kompania e Drejtorit të Bashkisë.

Por abuzimi nuk mbaron me kaq, Lorenc Bami në vitin 2019 themelon dhe një tjetër kompani, Artreum Generation nëpërmjet të cilës ka marrë nënkontraktimin e një tjetër tenderi në Bashkinë Memaliaj për ndërtimin e Ujësjellësit, një tjetër procedurë e denoncuar nga Partia Demokratike.

Të nderuar qytetarë,

Tërmeti i partisë nuk mund të ishte ndryshe nga shokët e Rilindjes.

Me VKB të posaçme, ai i ka dhuruar motrës së tij mijëra metra katrorë tokë publike në fshatin Rexhin për ndërtimin e një Agroturizmi dhe, për financimin sigurisht i vjen në ndihmë shoqja tjetër rilindase Frida Krifca, me një financim në vlerën 220.000 euro me fondet e IPARD.

Për thertoren dhe Agroturizmin e motrës, Frida Krifca ka dhënë rreth 1 milionë euro nga fondet, të cilat duhet të shkonin për fermerët.

Kjo pra është thertorja korruptive në të cilën Tërmeti i partisë i futi paratë e qytetarëve të Gjirokastrës, Tepelenës dhe Memaliajt.

Kjo kasaphanë korruptive me paratë e shqiptarëve do të marrë fund më 11 maj.

Sot në emër të Partisë Demokratike, depozitova pranë SPAK kallëzimin penal për këtë megavjedhje 5T, e cila ka lënë me gojë hapur edhe arkitektët e 5D dhe 5B.

Partia Demokratike zotohet se do t’i çojë para ligjit të gjithë ata që kanë futur duart në xhepat e qytetarëve shqiptarë si dhe do të konfiskojë çdo pasuri të vënë në kurriz të shqiptarëve, për t’i kthyer ato para në buxhetin e shtetit.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts