Koha juaj e reagimit mund të zbulojë shumë më tepër sesa mendoni për atë që ndodh brenda trupit tuaj, nga shëndeti i trurit deri te rreziku për vdekje të parakohshme.
Gjatë jetës, koha jonë e reagimit zvogëlohet gradualisht. Kjo është një nga arsyet pse performanca atletike fillon të bie nga mosha 30 e tutje.
Shkencëtarët po zbulojnë se mbajtja e një kohe mesatare të reagimit mund të jetë një tregues kyç që truri ynë funksionon ende mirë, edhe në dekadat e fundit të jetës. Por kjo nuk është e vetmja gjë që mund të zbulojnë. Nga shëndeti i zemrës deri te rreziku i përgjithshëm për vdekje të parakohshme, koha juaj e reagimit mund të ofrojë një dritare në funksionimin e brendshëm të trupit.
“Disa njerëz thjesht janë më të shpejtë se të tjerët, edhe përpara se të fillojë ndikimi i moshës,” thotë Simon Cox, profesor i trurit dhe plakjes njohëse në Universitetin e Edinburgut në Skoci. “Por një rënie në kohën e reagimit ndoshta tregon një grumbullim të dëmtimit të lidhur me moshën. Është një tregues që na thotë shumë për funksionimin e përbashkët të shumë sistemeve biologjike.”
Por si mund ta vlerësoni kohën tuaj të reagimit në komoditetin e shtëpisë?
Një test i thjeshtë është eksperiment i njohur si “testi i rënies së vizores”. Do t’ju duhet ndihma e një anëtari të familjes ose një miku, si dhe një vizore:
Uluni në një karrige, duke mbështetur parakrahun në një tavolinë në mënyrë që kyçi i dorës të qëndrojë jashtë skajit të tavolinës, me gishtin e madh dhe tregues të kthyer përpjetë.
Kërkoni që partneri të mbajë vizoren vertikalisht mbi dorën tuaj, me “zero”, aty ku fillojnë numrat, të ravijëzuar me gishtin tuaj të madh.
Pa paralajmërim, partneri duhet të lëshojë vizoren, ndërkohë që ju përpiqeni ta kapni sa më shpejt të mundeni.
Distanca që përshkon vizorja para se ta kapni është një matës i kohës suaj të reagimit.
Në përgjithësi, një performancë e shkëlqyer nënkupton që e kapni vizoren në më pak se 7.5 cm, mbi mesatare është 7.5-15.9 cm, mesatare është 15.9-20.4 cm, nën mesatare është çdo gjë mbi 20.4 cm dhe dobët është më shumë se 28 cm.
Studimet popullatave kanë vërejtur një lidhje mes shpejtësisë së rënies së kohës së reagimit dhe rrezikut për sëmundje të shumta të lidhura me moshën. Përveç rrezikut të përgjithshëm të vdekjes, një studim gjeti një lidhje të fortë mes kohës së reagimit dhe gjasave për vdekje nga të gjitha shkaqet kryesore, ka gjithashtu një marrëdhënie të fortë mes këtij treguesi dhe rrezikut të vdekjes nga sëmundje të caktuara, si sëmundjet e zemrës, goditjet në tru dhe sëmundjet e frymëmarrjes.
Koha e reagimit e një personi lidhet gjithashtu me ndjeshmërinë për të rënë, humbjen e aftësisë për të jetuar në mënyrë të pavarur dhe fillimin e demencës.
Megjithatë, sipas Cox, një matje e vetme e kohës së reagimit nuk zbulon shumë, pasi shpejtësia e reagimit ndryshon ndjeshëm nga një person te tjetri për shkak të faktorëve që variojnë nga gjinia te gjenetika, nga forma fizike te zakonet e jetesës, madje edhe tipi i personalitetit. Cox thekson se ajo që është më e rëndësishme është se si ndryshon koha juaj e reagimit nëse e krahasoni performancën në të njëjtin test gjatë një periudhe kohe, për shembull, çdo vit gjatë një dekade, dhe nëse ajo fillon të bie ndjeshëm.
Siç thekson Cox, aftësia jonë për të reaguar varet nga një rrjet sistemesh shqisore të ndërlidhura: sa mirë shohim, dëgjojmë apo edhe nuhasim një stimul të caktuar, sa shpejt truri ynë mund të përpunojë informacionin që merr nga sytë apo veshët dhe të japë një sinjal në përgjigje, dhe më pas sa shpejt fibrat nervore, muskujt dhe tendinat mund të zbatojnë atë që truri u thotë të bëjnë. “Të gjitha këto pjesë të ‘puzzle’-it mund të ndikohen nga plakja, dhe jo domosdoshmërisht në të njëjtën masë te të gjithë njerëzit,” thotë Cox.
Ka dy përbërës në reagimin ndaj testit të vizores, aftësia e trurit për të vlerësuar shpejt që ajo është lëshuar, dhe shpejtësia me të cilën trupi mund të veprojë sipas udhëzimeve të trurit për ta kapur atë.
Studiuesit kanë zbuluar se përbërësi i parë i këtij rrjeti që priret të dobësohet, duke filluar nga mesi i jetës, është aftësia jonë fizike për të vepruar sipas sinjaleve të trurit. Pra, truri ynë mund ta vërejë që vizorja është lëshuar brenda disa milisekondave, por prapë i duhet kohë trupit për të reaguar.
Ekspertët rekomandojnë stërvitjen me “dy detyra” njëkohësisht, si për shembull ecja ndërkohë që ktheni kokën majtas dhe djathtas, ose balancimi në një këmbë ndërkohë që recitoni alfabetin.
Në Universitetin e Kolorados në Boulder, profesorja e biomedicinës Alaa Ahmed ka zbuluar se, teksa plakemi, koha jonë e reagimit mund të varet më shumë nga shëndeti i përgjithshëm fizik sesa nga truri. Ajo thotë se kjo mund të jetë për shkak të zvogëlimit të fibrave të muskujve të shpejtë, të cilat na mundësojnë të reagojmë fizikisht me shpejtësi, ose sepse mitokondritë, përbërësit brenda qelizave tona që prodhojnë energji, funksionojnë më dobët, që do të thotë se jemi më pak efikas në lëvizje të shpejta.
“Bërja e një lëvizjeje më të shpejtë ka një kosto më të lartë për të moshuarit, prandaj ata mbështeten kryesisht te reagimi më i shpejtë,” thotë Ahmed.
Në të njëjtën kohë, nëse jemi relativisht mirë me shëndet, truri dhe sistemi ynë nervor qendror mund të vazhdojnë të funksionojnë fort edhe në vitet e vona të jetës. Sipas Matthew Pain, profesor i biomekanikës në Universitetin Loughborough në Mbretërinë e Bashkuar, shkencëtarët e kanë vlerësuar këtë duke matur “refleksin e trembjes” në kyçet e këmbëve të të moshuarve të shëndetshëm si reagim ndaj një zëri të fortë. Rezultatet treguan se aftësia e trurit për të reaguar ndaj zërit dhe për të dërguar një sinjal “lëviz” te kyçi i këmbës ka prirje të mbetet relativisht e paprekur.
“Pajisjet e papërpunuara të sistemit nervor te të moshuarit e shëndetshëm nuk janë edhe aq më të dobëta,” thotë Pain. “Vetëm bazuar në refleksin e trembjes, ata mund të reagonin ende aq shpejt sa të skualifikoheshin në Olimpiadë për një nisje të gabuar. Megjithatë, nuk do të mund të dilnin shumë shpejt nga blloqet e nisjes.”
Përveç testit të vizores, koha e reagimit mund të vlerësohet edhe përmes lojërave të thjeshta kompjuterike si Human Benchmark Reaction Time Test, i cili përfshin pritjen që një kuti e kuqe të kthehet në jeshile dhe më pas klikimin mbi të sa më shpejt të jetë e mundur. Përkeqësimet e mprehta në performancë me kalimin e kohës mund të pasqyrojnë një kombinim të prishjes së sistemeve shqisore, si dhe një ngadalësim të marrjes së vendimeve nga truri. Një studim i vitit të kaluar zbuloi se humbja e ndjeshmërisë vizuale në të parë dhe të reaguar ndaj modeleve mund të jetë një nga shenjat më të hershme të demencës, që fillon më shumë se një dekadë përpara se të shfaqen simptomat.
“Me moshën, fijet nervore në lëndën e bardhë të trurit mund të fillojnë të komunikojnë sinjalet më pak në mënyrë efikase, duke rezultuar në një përpunim më të ngadaltë të informacionit,” thotë Cox. “Pasi është marrë vendimi për të reaguar, nervat që lidhin trurin me muskujt gjithashtu duhet të jenë në gjendje të mirë për ta transmetuar atë mesazh shpejt, dhe këto gjithashtu plaken.”

Si të përmirësoni rezultatin tuaj
Por ka gjëra që secili prej nesh mund të bëjë për të ngadalësuar apo edhe parandaluar këtë rënie. Pain rekomandon atë që quhet stërvitje me dy detyra, e cila përfshin lëvizjen dhe aktivitetin kognitiv në të njëjtën kohë, për të stërvitur njëkohësisht trurin dhe trupin. Shembuj përfshijnë ecjen ndërkohë që ktheni kokën majtas e djathtas, balancimin në një këmbë ndërsa recitoni alfabetin, ose hedhjen e një topi ndërkohë që thoni fjalë me lidhje mes tyre.
Edhe aktivitete të tilla si pjesëmarrja në klasa fitnesi përmes ekranit të televizorit apo tabletit mund të ndihmojnë në përmirësimin e kohës së reagimit. “Kjo përmirëson aftësinë për të perceptuar një stimul dhe për të reaguar me lëvizje të koordinuara dhe domethënëse,” thotë Pain.
Cox thotë se shumë nga aktivitetet që shpesh lidhen me plakje të shëndetshme, si vazhdimi i sportit në moshë të shtyrë, mësimi i një instrumenti muzikor në pension, apo thjesht angazhimi në aktivitete intelektuale si lojërat me tabela, mund të kenë përfitime të drejtpërdrejta për kohën e reagimit.
“Ushtrimet sportive që kërkojnë reagime të shpejta mund të përmirësojnë kohën e reagimit duke përforcuar trurin dhe trupin,” thotë Cox. “Dhe ka disa dëshmi se angazhimi i vazhdueshëm social e intelektual lidhet me një plakje më të ngadaltë njohëse në aspektet e të menduarit kompleks.” / BBC












