Zëvendës Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka denoncuar skandalin me ujin e pijshëm në Tiranë, sidomos në Komunën e Parisit, ku uji orët e fundit ka qenë totalisht i ndotur.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook Xhixho thotë se banorë të shumtë të zonës së Komunës së Parisit i kanë shkruar gjatë orëve të fundit për furnizimin me ujë të papërdorshëm dhe me erë.
Sipas saj është e patolerueshme mungesa e transparencës nga autoritetet për një situatë të tillë. Ndër të tjera ajo tha se qeveria e mashtrimeve duhet të ikë dhe më 11 maj zgjidhja është vota për Aleancën për Shqipërinë Madhështore.
Postimi i Plotë i Erisa Xhixhos:
Skandal me ujin e pijshëm në Tiranë! Banorë të shumtë të zonës së Komunës së Parisit më kanë shkruar gjatë orëve të fundit për furnizimin me ujë të papërdorshëm, me ngjyrë dhe erë.
Për më shumë se 24 orë, atyre nuk iu dha asnjë shpjegim për shkakun e ndotjes së ujit, duke krijuar alarm dhe panik, pa folur për pamundësinë për të përdorur ujin, qoftë edhe për pastrimin e shtëpisë.
Është e patolerueshme mungesa e transparencës nga autoritetet për një situatë të tillë.
Është ironike sesi kjo situatë ndodh pikërisht në ditën kur çel fushatën partia që 12 vite më parë u premtoi qytetarëve ujë 24 orë.
Ende sot ky premtim nuk është bërë realitet. Madje, më keq akoma. As me orar nuk garantohet ujë i pijshëm, por qytetarët tmerrohen sa hapin çezmat.
Qeveria e mashtrimeve duhet të ikë. Më 11 maj, zgjidhja është vota për Aleancën për Shqipërinë Madhështore.












