Me urdhër të SPAK, agjentët e BKH kanë ndërmarrë ditën e sotme një aksion në Elbasan.
Mediat raportuan se agjentët kanë zbarkuar në banesën e drejtorit të Ujësjellësit, Luan Tabakut me urdhër të prokurorit të posaçëm, Vladimir Mara.
Po ashtu u raportua se jane ushtruar kontrolle edhe në disa biznese, por pa dhënë detaje.
SYRI ka mësuar se Policia e Shtetit ka refuzuar të zbatojë një urdhër të SPAK për të kontrolluar tregun agroushqimor të familjes së Suel Çelës.
Ky refuzim vjen pasi Suel Çela është angazhuar në fushatë për Edi Ramën, edhe pse në kërkim.
Burimet thonë se ai ka bërë zotime konkrete te Rama për numrin e votave qe pretendon se do mbledhë përmes blerjes, kërcënimeve dhe shantazheve.
Tregu agroushqimor është i vetmi i këtij lloji në Elbasan dhe zotërohet nga kompania “Çela P” me pronar Petrit Çelën babai i Suel Çelës, i shpallur në kërkim nga SPAK si kreu i një organizate kriminale që akuzohet se është përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, atentate, pastrim parash dhe korruptimin e zyrtarëve lokalë.
Përveç funksionit të tij zyrtar, tregu shërbeu sipas SPAK edhe si bazë e organizatës së dyshuar kriminale mes viteve 2020-2022; një vend i paprekshëm nga policia, ku bëheshin takime të fshehta dhe jepeshin urdhra okultë.
Megjithatë, reputacioni famëkeq dhe një hetim i hapur nga SPAK nuk e pengoi Bashkinë e Elbasanit që të miratojë më 24 janar zgjerimin e territorit përmes një lejeje të dytë për treg agro-ushqimor në favor të kompanisë së babait të Çelës.
Rama e vizitoi tregun agroushqimor të Çelës në korrik të vitit 2014 dhe e vlerësoi atë si një shembull që duhet shpërndarë “nga veriu në jug”.
Ndërkohë një ngjarje e rëndë u regjistrua në tregun agroshqimor në 18 shtator të 2017-ës. Në këtë datë në mbrëmje para tregut, policia ndaloi një Range Rover ku brenda tij ishin Enea Bekteshi e Kelmend Xhaferri.
Por në momentin që policët po largoheshin, një Audi i blinduar vjen drejt makinave të uniformave blu dhe në këtë moment i përplas ata. Sipas prokurorisë, policia ishte në aksion dhe Audi që drejtohej nga Suel Çela ka goditur me qëllim makinën e zëvendësdrejtorit të policisë, Gjergji Oshafit.
Dosja më pas u shfry.












