Politika

‘Korridori i Kujtesës dhe Punëve të Mira’/ PD hap fushatën me një festë historie dhe shprese për të ardhmen

Partia Demokratike nis zyrtarisht fushatën elektorale me një ngjarje simbolike dhe emocionale. Më 11 prill, në orën 18:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pas Presidencës, do të çelet “Korridori i Kujtesës dhe Punëve të Mira të Partisë Demokratike”, një aktivitet i organizuar nga Departamenti Brain Gain.

Kjo ekspozitë në hapësirë të hapur është konceptuar si një udhëtim përmes historisë së Partisë Demokratike, duke sjellë në vëmendje arritjet kryesore të saj përmes materialeve filmike, fotografive arkivore dhe simboleve të veprave të mëdha. Sipas organizatorëve, kjo nuk është vetëm një retrospektivë, por një thirrje për frymëzim dhe përkushtim ndaj së ardhmes.

Në një kohë të trazuar për vendin, ku përmenden probleme të rënda si rrënimi i shtetit të së drejtës, varfëria ekstreme dhe mungesa e shërbimeve bazë si arsimi dhe shëndetësia, Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore paraqiten si alternativa e vetme reale për ndryshim.

“Korridori i Kujtesës” është një reflektim mbi të kaluarën, por mbi të gjitha një mesazh për të nesërmen. “Suksesi i së kaluarës është prova se Shqipëria Madhështore është e mundur – dhe ajo fillon tani,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Të gjithë qytetarët janë të ftuar të bëhen pjesë e këtij aktiviteti, që përveçse ofron një përjetim historik, synon të ringjallë shpresën dhe të motivojë për një të ardhme ndryshe.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts