Rajoni

“Kërkesat tona të përmbushen…”! Protestuesit serbë nuk ndalen, nisen me biçikletë drejt Parlamentit Evropian

Një grup çiklistësh serbë po realizojnë një udhëtim prej 1.300 kilometrash drejt Parlamentit Evropian në Strasburg, për të tërhequr vëmendjen mbi fushatën e vendit të tyre kundër korrupsionit. Protestuesit e fajësojnë Qeverinë për korrupsion dhe dështim.

Protesta e tyre ka nisur më 3 prill, kur çiklistët u nisën nga Novi Sadi, qyteti i dytë më i madh i Serbisë dhe pas dy ditësh mbërritën në Budapest Hungari, ku u mirëpritën nga mbështetësit dhe studentë serbë që studiojnë atje.

Ky udhëtim është një formë proteste pas tragjedisë së ndodhur në nëntor të vitit të kaluar, kur shembja e një strehe prej betoni në stacionin e trenit të Novi Sadit shkaktoi vdekjen e 16 personave, duke nxitur protesta të shumta në Serbi kundër qeverisë për korrupsionin dhe dështimin në menaxhimin e sigurisë publike.

Protestuesit, të udhëhequr kryesisht nga studentët, kërkojnë që qeveria të bëjë publike të gjitha dokumentet që lidhen me ndërtimin e stacionit të trenit, pasi ata besojnë se ka pasur pasiguri dhe abuzime të mundshme me fondet e ndihmës. Megjithatë, autoritetet kanë deklaruar se i kanë bërë publike të gjitha dokumentet përkatëse, një pretendim që protestuesit e kundërshtojnë.

Aktualisht grupi i çiklistëve po udhëton përmes katër shteteve të tjera  Hungari, Sllovaki, Austri dhe Gjermani  dhe planifikojnë të arrijnë në Strasburg për t’u takuar me ligjvënës të Bashkimit Evropian dhe për të kërkuar mbështetje për kauzën e tyre.

“Do të jetë e vështirë. Të kalosh mes 100 dhe 150 kilometra për disa ditë nuk është një arritje e vogël. Unë mendoj se do të ishte sfiduese edhe për atletët”, deklaroi Katarina, studente e mjekësisë.

“Pritjet tona janë që dikush më në fund të reagojë ndaj situatës në Serbi dhe që kërkesat tona të përmbushen. Sigurisht që pres që udhëtimi të jetë i mundimshëm, pres që do të kalojmë vështirësi, por mendoj se ia vlen”, deklalroi Ivan Poturica, student i matematikës.

Në Serbi situata politike mbetet e tensionuar, pasi presidenti Aleksandar Vuçiç emëroi Gjuro Macutin, një profesor të mjekësisë pak të njohur si mandatar për formimin e një qeverie të re pas dorëheqjes së kryeministrit të mëparshëm, Millosh Vuçeviç.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts