LajmePolitika

Ambasadorja e BE-së “thumbon” qeverinë: Shpejtësia e ligjeve nuk duhet të anashkalojë transparencën

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, ka përcjellë një mesazh të qartë për mënyrën se si duhet të vijojë procesi ligjvënës në Shqipëri, në kuadër të integrimit në BE.

Gjatë mbledhjes së 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, ajo vuri theksin te nevoja që miratimi i ligjeve të mos udhëhiqet vetëm nga ritmi i reformave, por edhe nga cilësia, transparenca dhe konsultimi publik.

Sipas ambasadores, procesi i integrimit nuk duhet të shoqërohet me anashkalimin e rolit të Parlamentit apo të konsultimeve me grupet e interesit.

“Shpejtësia e miratimit të ligjeve nuk duhet të rrezikojë mbikëqyrjen parlamentare dhe procesin publik e transparent të hartimit të tyre”, u shpreh Moreira de Sousa.

Ajo argumentoi se rezultatet e reformave varen drejtpërdrejt nga mënyra se si hartohen ligjet dhe nga konsultimi që i paraprin miratimit të tyre.

“Gjithçka fillon me ligje të mira. Duhet të ketë konsultim kuptimplotë para se ato të miratohen”, theksoi ambasadorja.

Duke iu referuar ndikimit të reformave të lidhura me BE-në, ajo nënvizoi se ato prekin fusha të ndryshme të jetës së qytetarëve, nga arsimi dhe menaxhimi i mjedisit te sektorë të tjerë të rëndësishëm.

Për këtë arsye, sipas saj, procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të krijojë hapësirë për kontributin e shoqërisë civile, sektorit privat dhe aktorëve të tjerë të interesuar.

“Shpejtësia (e miratimit të ligjeve) nuk duhet të rrezikojnë mbikëqyrjen parlamentare dhe procesin publik dhe transparent të bërjes së ligjeve, sepse përfitimet e reformave do të ndihen nëse ligjet hartohen dhe bazohen mirë.

 Gjithçka fillon me ligje të mira, duhet të ketë bërë konsultim kuptimplotë para se miratohen. Reformat që lidhen me BE prekin çdo aspekt të jetës, që nga menaxhimi mjedisor, arsimi dhe prekin çdo qytetar.

 Për këtë arsye duhet të kemi një qasje që të përfshijë të gjithë shoqërinë, mbikëqyrja e shoqërisë civile, sektori privat… të gjithë duhet të kenë mundësi të thonë fjalën e tyre”,- tha ambasadorja.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts