Partia Demokratike ka denoncuar shpenzimet e qeverisë për automjete luksoze dhe ka akuzuar mazhorancën se, pavarësisht retorikës për kursim dhe mirëmenaxhim të fondeve publike, vijon të shpenzojë miliona euro për makina në funksion të administratës shtetërore.
Zëdhënësja e PD-së për Antikorrupsionin, Genta Vangjeli, deklaroi se kryeministri Edi Rama është shfaqur së fundmi në Pogradec me një Mercedes-Benz S, me vlerë mbi 100 mijë euro, ndërsa shpenzimet për automjetet në administratën publike arrijnë në miliona euro.
Vangjeli iu referua të dhënave të Open Procurement, duke deklaruar se më shumë se 10 milionë euro janë shpenzuar për blerje, qira apo leasing automjetesh dhe ngriti pikëpyetje mbi përqendrimin e kontratave te operatorë të caktuar ekonomikë.
Në deklaratën e saj, PD kërkoi ndërhyrjen e SPAK-ut për të hetuar mënyrën se si përdoren fondet publike.
Deklarata e plotë:
Teksa propagandon kursime e mirëmenaxhim dhe përgjegjshmëri në përdorimin e fondeve publike, kryeministri Rama shfaqet me automjete luksi, blerë sigurisht me paratë e shqiptarëve të varfër. Vetë Kryeministri Rama u shfaq pak ditë më parë në Pogradec, pas mbledhjes së qeverisë, duke u larguar me një Mercedes-Benz S, një automjet luksoz i cili kushton mbi 100.000 euro.
E normalisht të njëjtin shembull ndjekin edhe vartësit e tij.



Sipas Open Procurement, administrata e Edi Ramës ka shpenzuar miliona euro për automjete të blera, me qira apo leasing. Më tepër se 10 milionë euro kanë shkuar për këto blerje në duart e kunatit të KB socialiste të Durrësit, Emirjana Sakos. Procedura e fundit, publikuar disa ditë më parë në regjistrin e prokurimeve, me objekt blerje e 3 automjeteve për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, drejtuar nga Delina Ibrahimaj, i kushton qytetarëve 200.000 euro (konvertuar me kursin e këmbimit sot).
3 automjetet e MEI do të furnizohen nga i njëjti operator, Mektrin Motors, biznesi i familjes së Emirjana Sakos.
Në përpjekjen e dështuar të Edi Ramës dhe sojit të tij për të bindur shqiptarët se qeveria punon dhe përpiqet për të mirët e tyre.


Përfundimi është i qartë:
Propagandë me fjalë, miliona për luks në praktikë.
Paratë publike përdoren për të financuar një administratë që nuk njeh kufij në shpenzime.
Kontratat publike vijojnë të përqendrohen tek një rreth i ngushtë operatorësh ekonomikë pranë pushtetit.
Partia Demokratike ripërsërit thirrjen e saj.
SPAK të hetojë si shpenzohen paratë e shqiptarëve.
Mjaft më me propagandë.
Mjaft më me padrejtësi.
Mjaft më me vjedhje e korrupsion.
Shqiptarët kërkojnë drejtësi.












