Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën ndaj të pandehurve të dosjes hetimore ‘Plumbi i Artë’, e parashikuar për t’u zhvilluar këtë të martë. Gjyqi i radhës do të zhvillohet me 8 prill, ndërsa mësohet se shkak për shtyrjen e seancës është avokati kryesisht i Henrik Hoxhajt, i cili kërkoi kohë të përgatiste pyetjet.
Të pandehurit e dosjes “Plumbi i Artë” akuzohen për disa vrasje, atentate të mbetur në tentativë dhe vjedhje me dhunë, të zbardhura pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani. Pjesa më e madhe e krimeve janë kryer me pagesë.
Dumani është i pari në listën e SPAK si autor i 9 vrasjeve dhe tentativave për vrasje, si dhe 3 episode të vjedhjeve me dhunë.
Në këtë proces, SPAK ka 3 persona të penduar. Fillimisht për ngjarjet rrëfeu Nuredin Dumani, pas tij u pendua edhe Erion Alibej dhe Skerdi Tase.











