Çfarë ndodhi?
Nga Kongresi Botëror i Ligjit, i cili po zhvillohet në Tiranë, kryeministri Rama ka folur për një sistem të pavarur drejtësisë në Shqipëri. Rama u shpreh se pa ‘bekimin’ e Bashkimit Evropian, sot, Shqipëria nuk do të kishte një sistem të pavarur, larg arbitraritetit.
“Nuk është njeriu, apo kombësia e tij, historia se nga një popull vjen, që përcakton sjelljen e individit në raport me ligjin, është sistemi. Krijimi i një sistemi e bën pastaj të pamundur arbitraritetin, i cili edhe sot që flasim është i kudo ndodhur në sistemin tonë shtetëror, përfshirë edhe sistemin e drejtësisë. Nëse shqiptarët nuk do e donin kaq shumë BE-në ne nuk do të arrinim kurrë të vendosnim një sistem të drejtësisë të pavarur,” tha Rama.
Konteksti
Kjo deklaratë e Ramës serviret përpara një panorame krejt ndryshe. Nëse i referohemi sistemit të drejtësisë, nuk mund të flasim për pavarësi, kur marrim në konsideratë rastin e Belinda Ballukut.
Rama dhe mazhoranca përdorën kartonin si mjet për të rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish-zv.kryeministres e akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. Madje ishte vetë Rama, i cili çoi në dyert e Gjykatës Kushtetuese vendimin e GJKKO për pezullimin nga detyra të Ballukut dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit.
Ndërhyrjet politike të Ramës
Hetimi ndaj Belinda Ballukut u kthye në një betejë të hapur mes Ramës dhe drejtësisë së ‘pavarur’ të cilën kryeministri e trumbeton si arritje të Rilindjes.
Por, ishte vetë krijuesi i drejtësisë së re i cili çoi në Kushtetuese, vendimin e GJKKO-së për pezullimin e Ballukut. Në kërkesën e qeverisë, argumentohej se vendimi në fjalë cilësohej antikushtetues.
Vetë Rama, sulmoi hapur Gjykatën e Posaçme pasi kjo e fundit caktoi masën e pezullimit nga detyra për Ballukun. Asokohe, gjatë mbledhjes së grupit të PS, Rama sulmoi GJKKO-në duke hedhur poshtë akuzat për Ballukun.
“Thjesht njoftimi i akuzës në rrugën e shtrembër, dhe fatkeqësisht i bërë zakon nga grupet hetimore të “stacionit të trenit”, që përdorin mediat si forca paramilitare të fajësimit dhe asgjësimit të subjekteve të tyre, mjaftoi që ndaj Belinda Ballukut të ngriheshin dallgët e urrejtjes dhe të zienin 700 tenxhere”, tha Rama.
Madje, kryeministri pohoi se kishte refuzuar 3 herë dorëheqjen e Ballukut. “Dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vet dhe ka hyrë në territorin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv nuk ka”, tha Rama, duke sulmuar në mënyrë të hapur gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
SPAK, imuniteti dhe paralajmërimi i PE
Kreu i Komisionit të Jashtëm të PE, David MCAllister, në një konferencë për mediat nga Tirana në muajin Shkurt, u pyet për hetimet ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. MCAllister dha një mesazh të qartë kur deklaroi se çështja ‘Balluku’ është një test kritik për Shqipërinë në luftën ndaj korrupsionit.
“Nuk jam në pozicion të komentoj raste individuale në detaje, por do të them se çështja që përfshin zv/kryeministren Balluku është test kritik për Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit. Kjo është gjithashtu një pyetje për përgjegjësinë politike dhe duhet të zgjidhet brenda qeverisë shqiptare”, deklaroi MCAllister.
Më 12 Mars, Kuvendi votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku, duke injoruar sinjalin e marrë nga zyrtari i Parlamentit Evropian.
Me 82 vota kundër të maxhorancës dhe 47 pro të deputetëve të opozitës u rrëzua kërkesa për ndryshimin e masave të mëparshme, dhënë nga Gjykata e Posaçme, ajo e pezullimit nga funksionet qeveritare dhe ndalimit të udhëtimit jashtë vendit.
Në raportin e lexuar nga deputeti Oerd Bylykbashi, demokratët kërkuan të mos pengohej drejtësia. Opozita deklaroi se ky votim përbënte provë se socialistët po pengojnë edhe procesin e integrimit.
Për çfarë po hetohet Belinda Balluku?
Balluku po hetohet nga SPAK për dyshime në shkelje të barazisë në tendera dhe procedura të prokurimeve publike gjatë ushtrimit të detyrës si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
SPAK e ka regjistruar si person nën hetim për shkelje të barazisë në tendera. Sipas SPAK, përpos Tunelit të Llogarasë, Balluku është nën hetim edhe për 7 procedura të tjera prokurimi:
Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT;
Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2;
Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
Raporti i PE: Imuniteti, jo pengesë për hetimet
Dy ditë më parë, Parlamenti Evropian miratoi raportin për Shqipërinë, ku ngre shqetësime të qarta për gjendjen e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Në konkluzionet dhe rekomandimet e raportit, është përfshirë edhe çështja “Balluku”. Raporti i referohet imunitetit parlamentar si një ‘kornizë për të siguruar funksionimin e duhur të institucioneve parlamentare’.
Ai thekson se çdo vendim i lidhur me imunitetit duhet të jetë në përputhje me dispozitat ligjore, pa ndërhyrje politike, çka korrespondon me refuzimin që mazhoranca i bën heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut, e akuzuar për shkelje të barazisë në tendera.
“Kujton se imuniteti parlamentar është pjesë e kornizës kushtetuese të hartuar për të siguruar funksionimin e duhur të institucioneve demokratike; thekson se çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret në mënyrë strikte në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe procedurat e përcaktuara ligjore, pa ndërhyrje politike dhe pa vonesa të panevojshme”, thuhet në raport.
Dokumenti vë në dukje presionin dhe kërcënimet që i adresohen sistemit të drejtësisë duke theksuar se akte të tilla, dëmtojnë pavarësinë e gjyqësorit.
“Kujton se gjyqësori vazhdon të përballet me presione dhe kërcënime politike që rrezikojnë të dëmtojnë pavarësinë gjyqësore; nënvizon rëndësinë e zbatimit në kohë dhe të plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ, si një element thelbësor i sundimit të ligjit dhe ekuilibrit institucional”, vijon raporti./ Politiko.al










