Një letër e eurodeputetit gjerman David McAllister, drejtuar komisioneres për Zgjerimin Marta Kos, ka ngritur shqetësime mbi funksionimin e demokracisë parlamentare në Shqipëri gjatë procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Në letrën e datës 7 maj 2026, McAllister bën me dije se ka marrë një komunikim nga deputetja demokrate, Jorida Tabaku, në të cilin ngrihen pretendime për mungesë transparence dhe përjashtim të opozitës nga procesi i integrimit europian.
Sipas përmbajtjes së letrës, opozita dhe publiku nuk po informohen në mënyrë të rregullt mbi ecurinë e negociatave me BE-në, ndërsa projektligjet dhe dokumentet që lidhen me procesin nuk po ndahen në kohë për konsultim parlamentar.
McAllister thekson gjithashtu se Parlamenti shqiptar po luan një rol të kufizuar në këtë proces dhe se Këshilli i Ministrave nuk po raporton rregullisht mbi negociatat, reformat dhe përdorimin e fondeve të Bashkimit Europian.
Eurodeputeti paralajmëron se ekziston rreziku që procesi i integrimit të dominohet tërësisht nga ekzekutivi, duke dobësuar kontrollin parlamentar dhe rolin e opozitës në një proces që konsiderohet jetik për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Në letrën drejtuar Komisionit Europian, McAllister ngre dy pyetje kryesore: si e vlerëson Komisioni bashkëpunimin mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri dhe çfarë mekanizmash do të përdoren për të garantuar përfshirjen dhe të drejtat e opozitës gjatë negociatave të anëtarësimit.
Po ashtu, ai thekson se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe standarde të larta demokratike, duke paralajmëruar se çdo perceptim për mungesë integriteti mund të dëmtojë besueshmërinë e politikës së zgjerimit të Bashkimit Europian.
Letra:












