LajmePolitika

Rasti ‘Balluku’/ PE vendos vijat e kuqe për imunitetin: Korrupsioni të adresohet në të gjitha nivelet pa ndërhyrje

Parlamenti Evropian ka miratuar raportin për Shqipërinë, ku ngre shqetësime të qarta për gjendjen e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Në konkluzionet dhe rekomandimet e raportit, është përfshirë edhe çështja “Balluku”. Raporti i referohet imunitetit parlamentar si një ‘kornizë për të siguruar funksionimin e duhur të institucioneve parlamentare’.  

Raporti thekson se çdo vendim i lidhur me imunitetit duhet të jetë në përputhje me dispozitat ligjore, pa ndërhyrje politike, çka korrespondon me refuzimin që mazhoranca i bën heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut, e akuzuar për korrupsion me tenderat publikë.

“Kujton se imuniteti parlamentar është pjesë e kornizës kushtetuese të hartuar për të siguruar funksionimin e duhur të institucioneve demokratike; thekson se çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret në mënyrë strikte në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe procedurat e përcaktuara ligjore, pa ndërhyrje politike dhe pa vonesa të panevojshme”.

Raporti vë në dukje presionin dhe kërcënimet që i adresohen sistemit të drejtësisë duke theksuar se akte të tilla, dëmtojnë pavarësinë e gjyqësorit.

“Kujton se gjyqësori vazhdon të përballet me presione dhe kërcënime politike që rrezikojnë të dëmtojnë pavarësinë gjyqësore; nënvizon rëndësinë e zbatimit në kohë dhe të plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ, si një element thelbësor i sundimit të ligjit dhe ekuilibrit institucional.”

Vetë Rama, sulmoi hapur Gjykatën e Posaçme pasi kjo e fundit caktoi masën e pezullimit nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit për Belinda Ballukun. Asokohe, gjatë mbledhjes së grupit të PS, Rama sulmoi GJKKO-në duke hehdur poshtë akuzat për Ballukun.

“Thjesht njoftimi i akuzës në rrugën e shtrembër, dhe fatkeqësisht i bërë zakon nga grupet hetimore të “stacionit të trenit”, që përdorin mediat si forca paramilitare të fajësimit dhe asgjësimit të subjekteve të tyre, mjaftoi që ndaj Belinda Ballukut të ngriheshin dallgët e urrejtjes dhe të zjenin 700 tenxhere”, tha Rama.

Po ashtu, raporti nënvizon se sipas renditjes së Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International për vitin 2025, Shqipëria ka rënë në vendin e 91-të, krahasuar me renditjen e saj të vitit 2024 në vendin e 80-të.

“Korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe se, pavarësisht progresit në kuadrin ligjor dhe institucional, Shqipëria duhet të forcojë më tej kapacitetin e dedikuar të policisë, të konsolidojë historikun e saj të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë; mirëpret miratimin e legjislacionit kyç kundër korrupsionit, duke përfshirë mbrojtjen e sinjalizuesve dhe konfliktin e interesit, dhe bën thirrje për zbatimin e tij të plotë.

Këmbëngul që korrupsioni duhet të adresohet në të gjitha nivelet për të forcuar besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore dhe për të lejuar një mjedis biznesi të parashikueshëm; bën thirrje për transparencë të forcuar, kontrolle të konfliktit të interesit, vlerësime të rrezikut të integritetit dhe masa parandaluese të synuara në sektorët me rrezik të lartë, veçanërisht prokurimin publik dhe koncesionet, licencimin dhe inspektimet, si dhe planifikimin hapësinor dhe të ndërtimit.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts