Zadush Cira, kryetar i PBKD-së për degën e Kavajës, ka reaguar publikisht pas largimit të tij nga puna në Bashkinë e Kavajës, duke e cilësuar situatën si një tregues të një realiteti të vështirë politik në qytet.
Në një reagim të bërë në FB, Cira shprehet se Kavaja po përjeton një moment zhgënjyes, ku sipas tij po anashkalohen dhe përjashtohen ata që për vite me radhë kanë kontribuar në mbajtjen gjallë të frymës së së djathtës. Ai thekson se largimi i individëve me përvojë dhe kontribut dëmton drejtpërdrejt besimin e qytetarëve tek institucionet vendore.
“Nuk mund të ndërtohet besimi duke larguar njerëzit e sakrificës dhe kontributit,” shprehet Cira, duke shtuar se përjashtimi i të djathtëve sjell humbje të balancës politike, meritokracisë dhe vetë frymës së ndryshimit.
Postimi në FB:
Kavaja sot po përjeton një realitet të hidhur politik. Ata që për vite mbajtën gjallë frymën e së djathtës, sot ndihen të përjashtuar dhe të harruar nga qeverisja lokale. Nuk mund të ndërtohet besimi duke larguar njerëzit e sakrificës dhe kontributit. Kur përjashtohen të djathtët, humbet balanca, humbet meritokracia dhe humbet vetë fryma e ndryshimit. Kavaja meriton më shumë se kaq.













