Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar sot krijimin e një grupi pune ad hoc për hartimin e Traktatit të Aderimit me Malin e Zi, shkruan European Western Balkans.
Lajmi u raportua nga Radio-Televizioni i Malit të Zi (RTCG) dhe u konfirmua nga Presidenca Qipriote e Këshillit të BE-së. Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) ka dhënë dritën jeshile për nisjen e këtij grupi, i cili do të merret me përgatitjen teknike dhe ligjore të traktatit të anëtarësimit.
Presidenca qipriote theksoi se krijimi i këtij grupi është bërë me prioritet, duke pasur parasysh punën e gjatë dhe komplekse që duhet të përfundojë përpara se të nisë hartimi final i traktatit.
“Ky hap dërgon një mesazh të qartë se anëtarësimi është brenda mundësive për vendet e zgjerimit,” u shpreh një zëdhënës i Presidencës qipriote, duke shtuar se puna teknike që pritet është ende e gjerë dhe komplekse.
Konteksti
Ky hap vjen në një fazë të avancuar të procesit të integrimit të Malit të Zi, i cili shihet si një nga vendet më të përparuara në negociatat me Bashkimin Evropian.
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se marrëveshja e anëtarësimit të Malit të Zi do të jetë e para që përfshin mekanizma të rinj mbrojtës, të cilët lidhen me nevojën e BE-së për t’u përgatitur institucionalisht, politikisht dhe financiarisht për zgjerimin e ardhshëm. Sipas saj, këto klauzola mbrojtëse nuk janë krejtësisht të reja në parim, por përbëjnë një qasje të re në mënyrën se si BE menaxhon procesin e zgjerimit.
Ndërkohë, autoritetet malazeze e kanë cilësuar këtë zhvillim si një moment historik. Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorčević, deklaroi se krijimi i grupit të punës është “hapi i fundit drejt anëtarësimit të plotë”, duke shtuar se Mali i Zi synon të bëhet anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028.
Ajo theksoi gjithashtu se grupi i punës do të merret me koordinimin e përgatitjes përfundimtare ligjore dhe teknike të Traktatit të Aderimit, duke përfshirë përcaktimin e periudhave tranzitore dhe mekanizmave mbrojtës, në mënyrë që integrimi të jetë gradual dhe i qëndrueshëm.
Deri më tani, Mali i Zi ka mbyllur 14 nga 33 kapitujt negociues.
Shqipëria pa afat të qartë
Ndërkohë, procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet në një fazë më të pasigurt dhe pa një afat konkret për një hap kyç teknik. Miratimi i qëndrimit të BE-së për Raportin e Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve (IBAR) ndodhet ende në fazat e para dhe nuk ka një datë të qartë finalizimi.
IBAR konsiderohet një instrument thelbësor në procesin e negociatave, pasi vlerëson përmbushjen e standardeve në grupin “Bazat”, që përfshin fusha si sundimi i ligjit, gjyqësori, të drejtat themelore, funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma në administratën publike. Një vlerësim pozitiv i këtij raporti është kusht i domosdoshëm për kalimin e Shqipërisë në fazat e mëtejshme të negociatave dhe për nisjen e mbylljes së kapitujve.
Shkak për pengesën e krijuar u bë barriera mbrojtëse që mazhoranca dhe Rama vendosën për Ballukun, duke rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres. BE u tregua e prerë kur e cilësoi çështjen ‘Balluku’ një test kritik për qeverinë shqiptare në luftën ndaj korrupsionit. Por, pavarësisht paralajmërimit nga unioni, Rama dhe socialistët vendosën të sakrifikojnë integrimin për të shpëtuar Ballukun nga qelia.
Megjithatë, aktualisht nuk ka një afat të përcaktuar se kur BE do të japë një qëndrim përfundimtar mbi IBAR-in, duke e lënë procesin shqiptar të integrimit në një pritje teknike dhe politike.
Dy ritme të ndryshme në procesin e zgjerimit
Zhvillimet e fundit nxjerrin në pah një diferencë të qartë ritmesh në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.
Nga njëra anë, Mali i Zi po hyn në fazën e përgatitjes së traktatit të anëtarësimit, që konsiderohet hapi më i avancuar drejt finalizimit të procesit dhe anëtarësimit të plotë në BE.
Nga ana tjetër, Shqipëria vijon të mbetet në një fazë paraprake teknike, ku përparimi i mëtejshëm varet nga miratimi i IBAR-it dhe vlerësimi i standardeve bazë.
Kjo krijon një kontrast të dukshëm mes dy vendeve që ndodhen në nivele të ndryshme të avancimit në rrugën e integrimit evropian, pavarësisht se të dyja janë pjesë e së njëjtës politikë zgjerimi të BE-së në rajon.













