Ish-ministrja Elisa Spiropali ka reaguar me një mesazh të gjatë kritik ndaj modelit qeverisës së Edi Ramës.
Në reagimin e saj, Spiropali thotë se i kanë kërkuar të heshtë përballë sulmeve që janë adresuar ndaj saj. Madje, Spiropali ngre tonet edhe ndaj atyre që ajo “instrumente presioni” ose “zgjatime të vullnetit të pak njerëzve”.
Ajo shprehet se në administratë po shfaqet një model i bazuar në ndikime personale dhe jo në funksionim ligjor, duke e cilësuar këtë si një deformim gradual të sistemit që ka instaluar Rama.
“Kur struktura shtetërore të emëruara, të promovuara dhe të kontrolluara nga e njëjta dorë, tashmë jo formale, të paraprira nga portale të paguara me para të errëta, fillojnë të sulmojnë në mënyrë brutale deri edhe familjarë, në punë të tyre, atëherë kuptohet qartë se kufijtë janë tejkaluar, dhe se nuk bëhet më fjalë për politikë”, shprehet ish-ministrja.
Ajo akuzon indirekt Ramën se e ka shndërruar PS-në në një model qeverisës ku gjithçka orientohet nga duart e tij.
“Një parti e gjallë, po zëvendësohet nga një strukturë fosile ku gjithçka filtrohet përmes emërimeve okulte. “Drejtorokracia” është kthyer në mënyrë funksionimi. Ka zëvendësuar politikën me administrim besnikërie”, shkruan Spiropali.













