Samiti i Diasporës, organizuar nga kryeministri Rama, fillimisht u bojkotua nga Komuniteti Shqiptar i Selanikut, i cili kërkoi qartazi që diaspora të mos përdorej vetëm për forume, por të ishte një partnere reale për qeverinë.
Përpos bojkotit nga Selaniku, Rama është përballur me një situatë aspak të këndshme gjatë Samitit.
Një shqiptare nga Bolonja, Eva Baçi me profesion juriste, mori mikrofonin dhe i renditi kryeministrit një sërë problematikash që deri tani askush në Samit nuk i kishte sjellë për diskutim.
Baçi tha se emigrantët nuk kanë të drejtën për të folur dhe për të shprehur problemet e tyre, madje i vuri në dukje specifikisht Taulant Ballës, se janë shumë larg realitetit. Ajo kritikoi gjithashtu mënyrën e organizimit të samitit, duke e krahasuar me një “skenar të bukur ku mungojnë aktorët kryesorë”.
Madje, Baçi u shpreh se ka kërkuar të diskutojë në Samit, por është refuzuar.
“Dëshira për t’u kthyer në Shqipëri është shumë e madhe, ndaj marrim pjesë në Samite sepse presim një dritare te hapur nga toka mëmë, për t’u kthyer, që të na hapë derën. Skenari është shkruar shumë bukur, si ai regjisori që shkruan shumë bukur, dëgjojmë narativa, por mungojnë aktorët kryesorë që është Diaspora. Ky është Samiti i Diasporës. Mendoj se përveç hapjes që fjala duhet t’u jepet ministrit, kryeministrit dhe presidentit, aktorët kryesorë jemi ne. Unë doja që të bëja një diskutim dhe nuk m’u dha e drejta e fjalës. Duhet t’i mbarojmë këto filmat e bukur, që ne vetëm të dëgjojmë.
Unë kam mbaruar 3 fakultete në Bolonjë, kam dy specializime. Kemi kërkuar shumë herë, që të hyjmë të japim kontributin tonë. Unë punoj 14 orë në Itali, por mund të punoj 20 orë për Shqipërinë. Unë nuk kam vend ku të flas, dua të shpreh atë që kam, sepse përndryshe ne ngelemi vetëm numra. Unë nuk mund të pres biletën të vij që andej për të qenë një numër. Unë kam ngelur shumë keq dje, kur u dhanë çmimet. Në krahun tim është njëri nga sipërmarresit shqiptarët që i jep punë 350 familje dhe ju nuk i dhatë një çmim, Astrit Poti.
Ju jeni larg realitetit, flas për politikanët, jeni larg realitetit, nuk jeni afër me ne. Jemi pa përkrahje dhe kur nuk të përkrah shteti yt, kur ti nuk jep kontribut në shtetin tënd. Unë për Italinë jam më e përgatitura, por jam thjesht e huaj. Ne duam të kthehemi në vendin tonë. Këto panelet e ndara nuk janë mirë. Ne aktorët kryesore duhet të flasim, të sjellim problemet. Jo të dëgjojmë politikanët, narrativa është shumë e bukur, por ju nuk e keni idenë cfarë do të thotë sakrifica, pa asnjë përkrahje dhe asnjë ndihmë. Hapni dyert, sepse Shqipërisë nuk i mungon truri. I keni mbyllur dyert, të gjitha personave që janë të përgatitur. Kam edhe shumë gjera, por po të më jepet mundësia unë diskutimin e kisha përgatitur. Zoti Taulant Balla, je i pari që je shumë larg realitetit. Votën mund ta kalosh edhe 4 vite të tjera, por në histori duhet të lesh një emër”, tha Baçi.













