Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra pas publikimit të regjistrimit të një seance, ku gjyqtarë dhe përfaqësues të dy shoqatave kanë kërkuar rritje page për sistemin e drejtësisë.
Në deklaratat e tij, Rama ka ndërmarrë një sulm frontal ndaj gjyqtarëve, duke vënë në diskutim logjikën dhe integritetin e tyre, në një moment kur çështja ndodhet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Kryeministri pretendoi se gjyqtarët kishin zgjedhur qëllimisht një moment të favorshëm politik për të paraqitur kërkesën, duke e cilësuar procesin si “të tinëzshëm” dhe duke folur për një kosto prej 37 milionë eurosh për buxhetin e shtetit.
“Gjykata Kushtetuese para pak ditësh publikoi regjistrimin e seancës ku gjykatësit, dy shoqata, kërkuan nga GJK t’u rritet paga. Tani, po ta dëgjosh atë regjistrim të publikuar nga Kushtetuesja, realisht ndihesh në vështirësi të madhe, duke menduar që këta janë njerëzit që gjykojnë dhe japin drejtësi, ndërkohë që filli i logjikës së tyre, kur u ballafaquan me Kushtetuesen, lë tejet për të dëshiruar”, deklaroi Rama.
Rama u përpoq të relativizojë kërkesën për rritje pagash, duke deklaruar se gjyqtarët në Shqipëri paguhen sa në Greqi dhe më shumë se në vendet e rajonit, pa dhënë detaje konkrete mbi ngarkesën e punës, përgjegjësitë dhe kushtet reale të funksionimit të sistemit të drejtësisë.
“Për të pasur një ide të qartë lidhur me situatën e pagave në Shqipëri, dua ta dinë të gjithë se e vërteta është që në Shqipëri pagat e gjykatësve sot, sic janë, janë të njëjtat me ato në Greqi, një vend të BE-së, dhe ndërkohë janë dyfish më të larta se në Maqedoni dhe në Malin e Zi. SPAK nuk i është bashkuar kësaj iniciative absurde, dhe kjo gëzon respekt; gjykatësit imponohen mbi parlamentin, qeverinë dhe duan të marrin rroga sipas mendimit të tyre. Unë shpresoj që Kushtetuesja mos tua lërë këtë njollë të madhe Shqipërisë dhe të mos na detyrojë të kërkojmë ilaçe të tjera”, shprehet Rama.











