Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur sot në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Në një deklaratë për mediat jashtë SPAK, Berisha hodhi akuza të forta lidhur me veprimtarinë e call center-ave në Shqipëri, duke i cilësuar ato si një aktivitet kriminal të mbikëqyrur nga ajo që e quajti “narkopolicia”.
Kreu i PD-së akuzoi ish-kreun e SPAK, Altin Dumani, se sipas tij komandonte një call center, ndërsa përmendi edhe sipërmarrjet e lidhura me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit, si dhe ortakun e tij Amant Josifi.
“Call-center. Kishin hapur një call-center. Forex. Komandonte Altin Troplini. Dështuan operacionin dyvjeçar, nuk e dështuan plotësisht se nuk arritën, por dekonspiruan operacionin dyvjeçar të një grupi gazetarësh hetimorë ndër më të shkëlqyerit në Europë. Ky treg është një nga tregjet më kriminale në Ballkan, në Europë dhe në botë.
Janë dyqind sipërmarrje, të cilat të patronuara siç dihet nga Olsi Rama, ortaku i Amant Josifit, të cilat ditë e natë vjedhin qytetarët e huaj me mashtrime. Mashtrojnë qytetarët dhe call-centeri i cili u kontrollua, sipas hetimit që kanë bërë me agjentët e vet, vidhte në muaj të paktën 30 milionë euro me mashtrim. Kjo veprimtari kriminale është absolutisht e tëra në mbikëqyrjen e narko-policisë”, deklaroi Berisha.
Sa i përket operacionit të SPAK nisur nga investigimet e gazetarëve italianë, Berisha deklaroi se operacioni u dekonspirua, pasi zyrat ishin duke u boshatisur gjatë mesnatës.
“Ju e patë, kati i 13-të ku agjentët e Hijenës kanë punuar dy vite aty dhe u kanë dhënë çdo informatë ekipit që hetonte, kanë të gjitha fotot dhe videot, dhe dokumentet për veprimtarinë, ata kur shkuan e gjetën të boshatisur dhomën sepse kishin hequr të gjithë kompjuterët. Çka vërteton edhe njëherë deklaratën e prokurorit të antimafies të Napolit, i cili thotë se Shqipëria është më keq se narko-shtet. Është më keq se narko-shtet, thotë, sepse të dekonspirojnë çdo gjë”, tha Berisha.












