Paralajmërimi i kryeministrit Edi Rama për mbylljen e Radio Televizionit Shqiptar ka rikthyer në vëmendje krizën e thellë që prej vitesh shoqëron transmetuesin publik.
Ësht fakt që RTSH prej vitesh përballet me probleme të thella strukturore dhe sot paraqitet si një institucion me rol të zbehur në hapësirën publike.
Megjithatë, dështimin me të cilin “e bekoi’ sot kryeministri, harroi se nuk mund t’i faturohen vetëm institucionit.
Kjo për faktin se për vite me radhë, RTSH ka funksionuar nën hijen e ndërhyrjeve dhe emërimeve politike dhe mungesës së transparencës.
SI pasojë, problemet financiare dhe abuzimet e të emëruarve politikë kanë reflektuar një koston të rëndë në kurriz të RTSH-sdë.
Në këtë kontekst, ideja e mbylljes rrezikon të shërbejë më shumë si shmangie përgjegjësie sesa si zgjidhje reale për krizën e medias publike.
Më konkretrisht, rasti i ish-drejtorit të përgjithshëm Thoma Gëllçi, i zgjedhur me votat e mazhorancës dhe më pas i arrestuar për shpërdorim detyre në procedura tenderimi, mbetet një nga shembujt më domethënës të këtij modeli problematik.
Një tjetër rast i përmendur shpesh si ilustrim i ndërhyrjes politike është ai i Alfred Pezës, ish-deputet i Partisë Socialiste.
Gjatë drejtimit të tij, RTSH u përfshi në një valë shkarkimesh nga puna, të cilat u pasuan nga procese gjyqësore të fituara nga punonjësit e larguar.
Si pasojë e këtyre vendimeve, institucioni u përball me detyrime financiare dhe borxhe ndaj shtetit, përfshirë edhe detyrime të konsiderueshme të TVSH-së, duke rënduar më tej situatën financiare të transmetuesit publik.
Në korrik 2025, kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, u tha organizatave të medias se çështjet gjyqësore për pushimet e padrejta nga puna kanë kushtuar deri tani rreth 118 milionë lekë, ose 1.8 milionë euro nga buxheti i shtetit. Kjo pasi rreth 150 persona u larguan nga RTSH-ja pas emërimit të Alfred Pezës si Drejtor i Përgjithshëm në vitin 2023.
Po ashtu, përbërja e Këshillit Drejtues të RTSH-së ka qenë vazhdimisht objekt kontestimesh, me akuza se anëtarët janë përzgjedhur mbi baza politike dhe jo profesionale.
Vendime të rëndësishme editoriale dhe administrative janë perceptuar shpesh si të diktuara nga interesat e radhës, duke e kthyer RTSH-në në një institucion të varur nga politika.
Në këtë kontekst, paralajmërimi për mbylljen e RTSH-së shihet si një përpjekje për t’i faturuar dështimet një institucioni që për vite me radhë ka qenë i menaxhuar dhe kontrolluar politikisht nga vetë dora e qeverisë.












