LajmePolitika

Zyrtare/ Departamenti i Drejtësisë vë nën hetim “Perandorinë” e George Soros. A do të përdoret akti RICO dhe a do hetohen edhe aktivitetet në Shqipëri?

Në Shtetet e Bashkuara, Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka konfirmuar zyrtarisht nisjen e një hetimi të thelluar ndaj rrjetit të fondacioneve të spekulantit George Soros, “Open Society Foundations”. Ky hap, i konsideruar prej kohësh i vonuar nga qarqet konservatore, shihet si fillimi i demaskimit të një prej rrjeteve më të fuqishme dhe të fshehta të ndikimit global.

Lajmi, i raportuar fillimisht nga “The New York Times” në një përpjekje të dukshme për ta viktimizuar Soros-in, në fakt konfirmon atë që kritikët kanë denoncuar prej vitesh: përdorimin e miliarda dollarëve nën petkun e “filantropisë” për të minuar qeveritë sovrane, për të mbështetur axhenda radikale të së majtës dhe për të instaluar regjime kukull nëpër botë.

Sipas burimeve, hetimi i nisur nga Uashingtoni do të fokusohet në transparencën financiare, ndërhyrjet në proceset demokratike dhe lidhjet e errëta të fondacionit me grupe ekstremiste dhe lëvizje politike që kanë shkaktuar kaos dhe destabilitet në shumë vende të botës. Ky hetim vjen pas presioneve të vazhdueshme nga figura politike, ndër ta edhe Presidenti Donald Trump, i cili e ka akuzuar vazhdimisht Soros-in si “mjeshtrin e marionetave” që tërheq fijet pas perdes.

Vala e goditjes edhe në Tiranë?

Nisja e këtij hetimi në SHBA dërgon një sinjal të qartë edhe për Shqipërinë, një vend ku tentakulat e rrjetit Soros janë shtrirë thellësisht prej më shumë se dy dekadash. Fondacioni i tij ka financuar dhjetëra OJQ, politikanë të së majtës, media dhe ekspertë, të cilët shpesh kanë shërbyer si zëdhënës të axhendës globaliste dhe si kritikë të çdo qeverie që nuk i përshtatej interesave të tyre.

Ky hetim historik në Amerikë duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për drejtësinë shqiptare dhe opinionin publik. Kush janë përfituesit e vërtetë të parave të Soros-it në vendin tonë? Si është përdorur ky ndikim për të kapur reforma jetike, si ajo në drejtësi, dhe për të promovuar politikanë të bindur ndaj kësaj axhende?

Ndërsa media e majtë ndërkombëtare nxiton ta paraqesë këtë si një sulm politik, për miliona njerëz në mbarë botën ky është një moment shprese – shpresa se perandoria financiare e ndërtuar mbi spekulime dhe axhenda të fshehta më në fund po përballet me drejtësinë. Bota po e shikon me vëmendje, dhe efektet e këtij tërmeti politik pritet të ndihen fuqishëm edhe në Tiranën e kapur nga hijet e këtij rrjeti.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts