LajmePolitika

Ish-kryetari i PS në Korçë sulmon Ramën: Administrata e sotme, më e korruptuara në histori

Ish-kryetari i Partisë Socialiste në Korçë, Muharrem Meko, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për administratën publike, duke e cilësuar atë si “më të korruptuarën dhe më analfabete” në historinë e shtetit shqiptar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meko ironizon deklaratat e Ramës për reformimin e administratës dhe shprehet se problemet e vendit nuk lidhen vetëm me funksionimin e saj, por edhe me korrupsionin, largimin e të rinjve, mungesën e drejtësisë dhe shitjen e pronave publike.

Sipas tij, përgjegjësia për gjendjen e administratës i takon ekskluzivisht kryeministrit.

“Personalisht jam shprehur hapur e prej kohësh se, në historinë 114-vjeçare të shtetit shqiptar, administratë të korruptuar e analfabetë të këtij standardi si kjo e sotmja, as ka patur e as do të ketë”, shkruan Meko.

Ai shton se administrata aktuale është produkt i ndërthurjes së ish-administratës së qeverisjes së Sali Berishës me, sipas tij, “peshqeshet sorosjane”, duke kritikuar mënyrën se si është ndërtuar aparati shtetëror gjatë viteve të fundit.

Në fund të reagimit, ish-drejtuesi socialist i drejtohet Ramës me tone të forta, duke e konsideruar atë si përgjegjësin kryesor për situatën.

“Askujt mos iu anko; ti je përgjegjësi i vetëm për këtë zallamahi e çorbë që ke gatuar nën logon e Administratës Shtetërore. Mjerë kujt i bie të ketë punë e të zgjidhë hall me të”, përfundon Meko në postimin e tij.

Postimi i plotë i Muharrem Mekos:

“Më në fund “i modhi” e paska kuptuar se Administrata na paska qenë shkaktarja e sherrnajës…dhe rebelimit të ‘Pelikanëve’!

Pra s’janë shkaktarët e vërtetë, as korrupsioni marramendës, as ikjet e fëmijve të Shqipërisë, as shitja e trojeve e pronave publike buzë detit nga striptistët , as mungesa e drejtësisë, as mungesa e shëndetësisë…

-Asnjëra, asnjëra prej tyre….përveçse Administrata!

Fatkeqësisht, gjithçka që sot më shumë se kurrë po bëhet së prapthi, apo edhe s’bëhet fare, bëhet keq apo djallëzisht, në dëm të shqiptarëve e deri për interesa të dyshimta në emër të antishqiptarizmit, apo edhe milionave të zeza që djeg e përvëlon zemrat e shqiptarëve, ka pikërisht këtë emër të neveritshëm!

…kur duhet të ishte ndryshe, krejtësisht ndryshe, përderisa përceptimi qytetar për administratën është si ai një fëmijë për prindin; ndërkohë që korrupsioni galopant e kanë ulur tejmase besimin ndaj saj, e meritokracia në kufijte e analfabetizmit ia kanë ulur kokën shqiptarit, të përgjëruar për “prindin” e munguar, si asnjë populli tjetër në Europë!

Personalisht jam shprehur hapur e prej kohësh se, në historinë 114-vjeçare të shtetit shqiptar, administratë të korruptuar e analfabetë të këtij standardi si kjo e sotmja, as ka patur e as do të ketë!

Për hir të së vërtetës s’kishte se si të ishte ndryshe nga një gatesë bajate dhe e pështirë prej brumi të zënë, midis ish-administratës së Berishës, (keqfunksionimi i saj e ndëshkoj Saliun në vitin 2013 me 1 milion vota) dhe peshqesheve sorosjane; llumit G-99 e Mjaftistat që dikur si pelikanët e sotëm ulërinin rrugëve të Tiranës;- Nano ik-PS, ik!

Oooo i Modh !

Askujt mos iu anko; ti je përgjegjësi i vetëm për këtë zallamahi e çorbë që ke gatuar nën logon; Administrata Shtetërore …e që mjerë kujt i bie të ketë punë e të zgjidhë hall me të!

…e për ty personalisht, si koka e saj ??

– S’ mund të them asgjë, përveçse; -të zënçin sytë përpjekjet, mbështetja e qëndresa e atyre mijëra socialistëve të orëve të para, që shkel”.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts