LajmePolitika

Eurodeputeti paralajmëron Ramën: BE po i ndjek paratë, do të ketë pasoja

Eurodeputeti i grupit të Partisë Popullore Evropiane (PPE), Tomáš Zdechovský, ka shprehur kritika të forta ndaj qeverisë shqiptare, duke deklaruar se Bashkimi Evropian nuk do të pranojë një vend që, sipas tij, nuk garanton luftën kundër korrupsionit dhe zgjedhje transparente.

I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, Zdechovský tha se misioni i Parlamentit Evropian, të cilin ai drejtoi në Shqipëri për kontrollin buxhetor, ka krijuar një panoramë të qartë mbi situatën në vend.

“Ne kemi një pasqyrë të qartë të situatës në Shqipëri. Nuk mund të vazhdohet në këtë mënyrë. Korrupsioni nuk do të jetë kurrë pjesë e Bashkimit Evropian dhe zoti Rama duhet ta dijë se, nëse keqpërdor pushtetin në mënyrë jo demokratike, Shqipëria nuk do të ecë drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh eurodeputeti.

Sipas tij, Bashkimi Evropian po monitoron nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe pret që proceset zgjedhore të zhvillohen sipas standardeve demokratike.

Zdechovský paralajmëroi se, nëse nuk do të ketë zgjedhje transparente, kjo do të ketë pasoja.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Nëse zoti Rama nuk garanton zgjedhje transparente, do të ketë pasoja, veçanërisht për të dhe familjen e tij”, deklaroi ai.

I pyetur nga moderatori  se çfarë nënkuptonte me “pasoja për të dhe familjen e tij”, eurodeputeti pretendoi se bëhet fjalë për monitorimin e lëvizjeve financiare.

“Ne kemi vënë re se ai përdor familjarët për të transferuar para jashtë vendit. Ne po ndjekim gjurmët e këtyre parave. Është një mesazh i qartë dhe ai do ta kuptojë shumë mirë”, tha Zdechovský.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts