LajmePolitika

Deputeti britanik ironizon Ramën: Komenton Britaninë, por harron pse boshatiset Shqipëria

Ndërsa protestat qytetare kundër qeverisë kanë hyrë në muajin e tyre të parë, kryeministri Edi Rama është përballur me kritika edhe nga jashtë Shqipërisë.

Deputeti britanik Andrew Rosindell i është përgjigjur deklaratave të mëhershme të kreut të qeverisë shqiptare për Brexit-in, duke e zhvendosur debatin te largimi i të rinjve shqiptarë nga vendi.

Në një reagim në platformën X, Rosindell kujtoi deklaratën e Ramës, i cili disa muaj më parë kishte ironizuar pasojat e Brexit-it, duke thënë se Britania “la Europën sepse donte më pak anije, por ka më shumë anije” dhe “donte më shumë investime, por ka më pak investime”.

Deputeti konservator zbuloi se gjatë vizitës së tij në Tiranë vitin e kaluar kishte takuar shumë të rinj shqiptarë, të cilët, sipas tij, i kishin rrëfyer dëshirën për t’u larguar nga vendi. Ai shtoi se kjo prirje mund të shtohet edhe më shumë pas integrimit të Shqipërisë në zonën Shengen.

Deputeti britanik solli në vëmendje edhe faktin se në vitin 2022 shqiptarët përbënin grupin më të madh të emigrantëve që hynë ilegalisht në Britani me gomone, duke ngritur pyetjen se përse kaq shumë të rinj ndihen të detyruar të largohen nga vendi i tyre.

“Kryeministri Rama është i lirë të komentojë për Britaninë, ashtu siç jam i lirë të komentoj për Shqipërinë. Vitin e kaluar fola me shumë të rinj shqiptarë në Tiranë, të cilët më thanë se donin të largoheshin nga vendi, gjë që do të bëhet edhe më e mundur me hyrjen e Shqipërisë në Shengen.

Në vitin 2022, shtetasit shqiptarë ishin grupi më i madh që mbërriti ilegalisht me anije të vogla në Mbretërinë e Bashkuar.

Pyetja e vërtetë është pse kaq shumë të rinj shqiptarë ndienin se duhej të largoheshin nga vendi i tyre në radhë të parë. Do të marr leksione mbi sovranitetin nga populli britanik, jo nga një kryeministër i huaj. Brexit kishte të bënte me vetëqeverisjen demokratike dhe ky parim mbetet po aq i rëndësishëm sot sa kurrë më parë”, shkruan deputeti britanik.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts