LajmePolitika

Berisha paralajmëron: Rrëzikojmë anulimin e marrëveshjeve me BE, çiftimi Rama-Vuçiç akti më i rëndë

Kreu i PD Sali Berisha ka paralajmëruar pasoja serioze në procesin e integrimit të Shqipërisë, pas vendimit të PS për të mbrojtur imunitetin e Belinda Ballukut.

Nga mbledhja e Kryesisë, Berisha tha se vendi ynë rrezikon anulimin e marrëveshjeve të firmosura me BE-në qysh nga viti 1992.

“Në të vërtetë, vendimet u morën në parlament me gjithë paralajmërimin më serioz të jo një, por disa vendeve anëtare të BE, se ato nuk mund të pajtohen kurrë me një vendim të tillë. Dhe se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, jo vetëm që ndalon, por edhe mund të shpërbëhet nga alfa gjer në alfën ku ka filluar. Kur themi këtë shpërbërje, do të thotë anulim i të gjitha marrëveshjeve të firmosura me BE-në, që nga viti 1992 që është marrëveshja e parë tregtare”, tha Berisha.

Duke u ndaluar tek editoriali i përbashkët Rama-Vuçiç mbi zgjerimin e BE, Berisha e cilësoi aktin më armiqësor ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Me çiftimin e Shqipërisë me Serbinë, Edi Rama kreu një akt ndër më të egrit armiqësorë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Cilado që të jenë problemet e Shqipërisë, Shqipëria nuk ka asnjë problem madhor në rrafshin strategjik, gjeostrategjik dhe politik me BE-në, që ka Serbia.

Serbia, jo nga Shqipëria, por nga qëndrimet dhe historia e saj, është konsideruar dhe konsiderohet Rusia e vogël në Ballkan. Shqipëria nuk është konsideruar kurrë zonë influence ruse.

Serbia ka probleme të mëdha politike për të zgjidhur, marrëdhëniet me fqinjët, me Kosovën dhe Bosnjen, me Republikën Srapska që e ka përdorur si një koloni, me kërcënime të mëdha për bashkim, etj, etj. Shqipëria nuk ka asnjë problem gjeopolitik me asnjë nga fqinjët tanë. Ka vetëm marrëdhëniet me të mira, më normale në të gjitha aspektet”, tha Berisha.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts