LajmePolitika

PS mban në sirtar kërkesën e SPAK, çfarë sinjalizoi Rama për imunitetin e Ballukut?

Kryeministri Edi Rama ka dhënë sinjalin më të qartë deri më tani për qëndrimin e tij dhe të mazhorancës lidhur me çështjen e Belinda Ballukut, ndaj së cilës prej muajsh është në pritje në Kuvend kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj.

Edhe pse deklaroi se nuk do të flasë shterueshëm pa dalë raporti i Këshillit të Mandateve, Rama nga mbledhja e fundit e grupit të PS, artikuloi një mbrojtje të qartë politike për ish-ministren, duke bërë të ditur se i ka refuzuar tri herë dorëheqjen.

“Belinda Balluku mua ma ka dorëzuar dorëheqjen 3 herë, qysh në mbrëmjen e ditës kur iu ngrit akuza në fillim… e kam hedhur unë poshtë kategorikisht idenë e dorëheqjes”, deklaroi Rama.

Kundër “automatizmit” të akuzës

Rama e bëri të qartë se nuk beson tek dorëheqjet automatike sa herë ngrihet një akuzë nga prokuroria, duke theksuar se vendi ndodhet në një fazë të brishtë të konsolidimit të drejtësisë së re.

“Ne nuk mund të hymë në vallen e dorëheqjeve automatike sa herë ngrihet një akuzë. Po do bëjmë secili punën e vetë, ne tonën, drejtësia të vetën”, tha ai, duke nënkuptuar mbrojtje politike për Ballukun deri në fund të procesit.

Ky qëndrim lexohet si një sinjal i drejtpërdrejtë se Balluku nuk do të largohet politikisht për shkak të akuzës dhe se mazhoranca nuk do ta trajtojë kërkesën e SPAK si një formalitet të detyrueshëm apo një rast emergjent, çka përputhet edhe me përjashtimin e kërkesës nga rendi i ditës për seancën plenare të 5 Marsit në Kuvend.

Kritika ndaj praktikës së drejtësisë

Në një pjesë të fjalës së tij, kryeministri artikuloi kritika ndaj mënyrës se si, sipas tij, po funksionon drejtësia në disa raste, duke folur për cenim të prezumimit të pafajësisë dhe dëme kolaterale ndaj administratës dhe sipërmarrjes.

Megjithatë, Rama u distancua nga çdo tezë për dështim të reformës në drejtësi, duke e mbrojtur atë si një investim strategjik të Partisë Socialiste.

“Mekanizmi i qeverisjes së vendit nuk mund të kurdiset dhe të ç’kurdiset sa herë Prokuroria ngre një akuzë. S’bëhet dot. 100 herë të kthehesha mbrapsht, 100 herë do zgjidhja reformën në drejtësi me të gjitha të mirat e të këqijat e ardhura prej saj”, tha kryeministri, i cili pasojat e reformës po i vuan nën lëkurë.

Çfarë paralajmëroi për kërkesën e SPAK?

Fakti që kërkesa për arrestimin e Ballukut nuk është përfshirë në rendin e ditës të seancës së 5 marsit përputhet me frymën e deklaratës së Ramës. Ai la të kuptohet se vendimmarrja nuk do të jetë automatike dhe se Kuvendi nuk do të funksionojë si mekanizëm formal i prokurorisë.

“Drejtësia ka detyrë të hetojë, të gjykojë, të ndëshkojë apo të pafajësojë… ndërsa ne kemi detyrë të realizojmë objektivat dhe të zbatojmë programin për të cilin jemi zgjedhur. Normalisht do pres dhe raportin e Këshillit të Mandateve përpara se të them dhe unë fjalën time, në mënyrë shteruese për temën e imunitetit”, tha Rama.

Në thelb, mesazhi i kryeministrit është i dyfishtë: mbështetje për drejtësinë e pavarur, por edhe mbrojtje politike për Ballukun. Rama e ka bërë të qartë se nuk do të ketë dorëheqje, as të imponuar e as “morale”, duke mbyllur çdo skenar që Balluku të largohet politikisht përpara një vendimi përfundimtar gjyqësor.

Deklarata e tij përbën sinjalin më të qartë se mazhoranca socialiste nuk ka ndërmend të veprojë nën presion publik apo opozitar siç vetë ai theksoi, duke e kthyer çështjen e Ballukut në një test të ri për raportin mes politikës dhe drejtësisë në vend.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts