Për Ramën, draft-raporti i Parlamentit Evropian është një vlerësim, edhe pse PE kishte rezerva e kritika duke filluar nga niveli i lartë i korrupsionit deri të forcimi i shtetit të së drejtës.
Në podcastin e tij, Rama tha se PE ka evidentuar progresin e reformave, politikat e ndjekura dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
“Draft-rezoluta e publikuar nga Parlamenti Europian për vendin tonë është një vlerësim i qartë për progresin e Shqipërisë…duke evidentuar progresin në forcimin e institucioneve demokratike, shtetin e së drejtës, reformën socio-ekonomike, politikat mjedisore, bashkëpunimin rajonal dhe përputhshmërinë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Kjo draft-rezolutë është një tjetër sinjal shumë i rëndësishëm për publikun tonë: Shqipëria po ecën me ritëm, me qëndrueshmëri dhe me qartësi strategjike në drejtimin e duhur”, u shpreh Rama.
Draft-raporti i PE shprehte qartazi rezerva dhe kritika nga kuadri zgjedhor, te depolitizimi i administratës, drejtësia, liria e medias e korrupsioni.
Polarizimi politik, forcimi i shtetit të së drejtës dhe konsolidimi i reformave kundër korrupsionit, ishin tre faktorët që draft-raporti i PE nënvizonte si prioritet i qeverisë.
PE theksonte edhe ndërhyrjet e politikës në drejtësi, që së fundmi janë kryer direkt nga kryeministri, i cili ka sulmuar vazhdimisht gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese për çështjen “Balluku”.













