Ndërsa qeveria flet për “rritje ekonomike” dhe “mirëqenie”, Shqipëria vazhdon të renditet ndër vendet më të varfra të Europës për nga fuqia reale blerëse, sipas të dhënave të Indeksit të Numbeo-s 2026 për cilësinë e jetesës.
Tirana renditet në vendin e 156-të nga 213 qytete, me një fuqi blerëse lokale prej vetëm 45.6, një shifër alarmante që e vendos Shqipërinë jo vetëm pas vendeve të BE-së, por edhe pas shumicës së rajonit.
Në praktikë, kjo do të thotë një realitet i thjeshtë për qytetarët: paga që nuk mjaftojnë për muajin, çmime që rriten dhe qira që po bëhen të papërballueshme.
Shqipëria më keq se rajoni: Çmime europiane, paga ballkanike
Nëse krahasohet me Ballkanin, diferenca bëhet edhe më e thellë: Shkupi me fuqi blerëse 65.5, Beogradi 65.0, Sarajeva 66.4 dhe Podgorica 72.1.
Ndërsa Tirana mbetet në fund, duke treguar qartë se shqiptarët kanë më pak mundësi reale për të jetuar dinjitetshëm, edhe krahasuar me vendet që ndajnë të njëjtin nivel zhvillimi historik.
Megjithëse Indeksi i Kostos së Jetesës për Tiranën është 49.5, ekspertët theksojnë se problemi nuk janë vetëm çmimet absolute, por raporti mes çmimeve dhe pagave.
Në Shqipëri ushqimet bazë po shtrenjtohen, qiratë po rriten më shpejt se pagat dhe shërbimet po kthehen në luks.
Hendeku me Europën, gjithnjë e më i thellë
Në krye të listës qëndrojnë qytete si: Zyrihu (fuqi blerëse 164.4), Bazeli (183.7) dhe Frankfurti (156.6). Diferenca mes Shqipërisë dhe Europës Perëndimore nuk është thjesht statistikë — është hendek social, që përkthehet në emigrim masiv, rënie të lindshmërisë dhe varfëri të heshtur.
Propagandë kundër realitetit
Kryeministri Edi Rama e ka ndërtuar narrativën e tij ekonomike mbi rritjen e pagave, dkur deklaroi në mars të 2025-ës se “paga mesatare në sektorin publik ka shkuar në 1 000 euro” dhe se “paga minimale do të bëhet 500 euro”.
“Kur ne morëm detyrën, paga mesatare në sektorin publik ishte 372 euro dhe sot në vitin 2024 e mbyllëm me 1 000 euro pagën mesatare. Po paga minimale? E kishim 157 euro, e kemi 400 euro dhe siç e kam thënë dhe më parë … do ta bëjmë 500 euro dhe do të hyjë në efekt në janar të 2026.”
Por pas kësaj propagande shifrash që duken mbresëlënëse, fshihet një realitet krejt tjetër për shumicën e shqiptarëve. Të dhënat për fuqinë blerëse tregojnë se këto rritje janë gëlltitur nga rritja e çmimeve, qirave dhe kostos së ushqimeve, duke e lënë Shqipërinë në fund të Europës për standard jetese.
Në praktikë, paga “e rritur” nuk përkthehet në jetë më të përballueshme, por në muaj gjithnjë e më të vështirë për qytetarët, çka e nxjerr zbuluar hendekun mes propagandës qeveritare dhe realitetit ekonomik.













