LajmePolitika

Balkan Barometer: Shumica e shqiptarëve nuk besojnë tek qeveria, në krizë besimi edhe Parlamenti

Pavarësisht retorikës zyrtare për mbështetje publike, shumica e shqiptarëve deklarojnë se kanë pak ose aspak besim tek qeveria, parlamenti dhe partitë politike, sipas të dhënave të Balkan Barometer 2025, një nga anketimet më të besueshme rajonale për perceptimin publik ndaj institucioneve.

Qeveria, më shumë mosbesim sesa besim

Në Shqipëri, 53% e qytetarëve shprehen se kanë pak ose aspak besim tek qeveria, ndërsa vetëm 9% deklarojnë besim të plotë. Edhe pse niveli i besimit të moderuar është mbi mesataren rajonale, shifrat tregojnë një mungesë të qartë legjitimiteti publik, me më shumë se gjysmën e qytetarëve skeptikë ndaj qeverisjes.

Në krahasim me rajonin, Shqipëria qëndron më mirë se Bosnje-Hercegovina dhe Serbia, por ky pozicion relativ nuk e zbeh faktin se mosbesimi mbetet dominues.

Parlamenti, në krizë besimi

Besimi tek Parlamenti mbetet thellësisht i ulët. 70% e shqiptarëve deklarojnë se kanë pak ose aspak besim, ndërsa vetëm 4% shprehin besim të madh. Shqipëria ndodhet pranë mesatares rajonale, duke reflektuar një krizë përfaqësimi dhe distancim të fortë të qytetarëve nga institucioni ligjvënës.

Parlamenti është kthyer në arenën ku PS demonstron forcën e kartonit, ligjet kalojnë pa diskutim vetëm me votat e socialistëve. Mocionet me debat të kërkuara nga opozita janë rrëzuar ose kryeministri apo ministrat e kërkuar në debat, nuk janë paraqitur duke iu shmangur llogaridhënies.

Partitë politike, institucioni më i diskredituar

Partitë politike rezultojnë institucioni më pak i besuar nga shqiptarët. 76% e qytetarëve deklarojnë se nuk u besojnë ose u besojnë shumë pak partive politike, ndërsa vetëm 4% shprehin besim të plotë. Këto shifra e vendosin Shqipërinë në të njëjtën tablo me vendet më problematike të rajonit, duke nxjerrë në pah krizën e thellë të sistemit partiak.

Gjykatat, pritshmëri të larta por besim i brishtë

Edhe pse 44% e shqiptarëve deklarojnë mjaft ose shumë besim tek gjykatat, mbi gjysmën e qytetarëve mbeten skeptikë. Ekspertët e shohin këtë ndarje si reflektim të pritshmërive të larta të pambajtura nga reforma në drejtësi dhe perceptimit për ndikim politik mbi sistemin gjyqësor.

Policia, më e besuara mes institucioneve shtetërore

Policia rezulton institucioni me nivelin më të lartë të besimit, megjithatë 38% e qytetarëve shprehin pak ose aspak besim edhe ndaj këtij institucioni. Krahasimi rajonal tregon se Shqipëria nuk është përjashtim nga trendi ballkanik i besimit të pjesshëm dhe jo të konsoliduar ndaj strukturave të rendit.

Një panoramë mosbesimi politik

Të dhënat e Balkan Barometer 2025 konfirmojnë një model të qartë mosbesimi ndaj politikës dhe institucioneve përfaqësuese në Shqipëri. Ndërsa vendi qëndron mbi mesataren rajonale në disa tregues, realiteti mbetet se shumica e qytetarëve nuk ndihen të përfaqësuar dhe nuk u besojnë institucioneve që i qeverisin.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts