Sot ka hyrë në fuqi heshtja zgjedhore, ndërsa të dielën 334.539 qytetarë në pesë bashki të vendit do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj.
Procesi do të zhvillohet në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë, ku KQZ ka përfunduar shpërndarjen e të gjitha materialeve zgjedhore.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zgjedhjeve, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash. Në pesë bashkitë janë marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku ndodhen KZAZ-të dhe 473 qendra votimi. Në terren do të jenë të angazhuar 612 efektivë të policisë, të cilët do të kujdesen për sigurinë e procesit dhe shoqërimin e materialeve zgjedhore.
Partia Socialiste do të garojë me pesë kandidatë, opozita ka deklaruar mbështetje për disa kandidatë të pavarur.
Në Vlorë, ish-deputetja Brunilda Mersini përfaqëson PS-në, përballë Dionis Sotës — i mbështetur nga PD — dhe Gjergj Nikës.
Në Berat, socialistët kanë kandidatin Ervin Ceca, që përballet me Pavlo Shkarpën.
Në Mat, gara do të jetë mes Altin Bojnit të PS-së, Suzana Pashës — ish-kryetare e Gruas Socialiste lokale që garon e pavarur — dhe Eduart Brahilikës, i mbështetur nga opozita.
Në Cërrik, kandidati socialist është Florenc Doka, përballë të pavarurit Amarildo Hoxha, me mbështetjen e PD, dhe Eligert Himës nga “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.
Ndërsa në Tepelenë, PS garon me Gramoz Sakon, ndërsa opozita mbështet kandidatin e pavarur Gabriel Guma.













